Burri i Albulena Haxhiut me akuza të rënda për Fatmir Limajn, zbulon detajet të rëndësishme për Zonën Ekonomike në Malishevë - Bota Sot
Burri i Albulena Haxhiut me akuza të rënda për Fatmir Limajn, zbulon detajet të rëndësishme për Zonën Ekonomike në Malishevë

Aktuale

Burri i Albulena Haxhiut me akuza të rënda për Fatmir Limajn, zbulon detajet të rëndësishme për Zonën Ekonomike në Malishevë

Nga: N.H Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 21:43
Fatmir Limaj dhe Alban Krasniqi

Alban Krasniqi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është burri i Albulena Haxhiut, në një postim në Facebook, ka thënë se Zona Ekonomike në Malishevë ka filluar të kundërmojë nga afera korruptive e ish-zëvendëskryeministrit Limaj, ende pa u vënë asnjë lopatë beton.

Sipas Krasniqit, qeverisja lokale në Malishevë, e vetëdijshme për këtë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, qëllimshëm anashkaloi kuvendin komunal dhe Planin zhvillimor komunal duke krijuar një komunikim joformal dhe partiak.

Mes tjerash ai ka thënë se lajmi i mirë është që me këtë çështje kanë filluar të merren organet e drejtësisë.

Ja shkrimi i tij:

Kush po vjel(dh) miliona në emër të Zonës Ekonomike në Malishevë?!

Zona ekonomike në Malishevë ka filluar të kundërmojë nga afera korruptive e ish zv.kryeministrit Limaj&Co ende pa u vënë asnjë lopatë beton.

Me 8 shkurt të vitit 2018 në një takim në mes kryetarit Begaj dhe ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë -MTI publiku u njoftua për fillimin e projektit të zones së lirë ekonomike në Malishevë, ku asokohe nga MTI u tha se ishin ndarë 3 milion euro për ndërtimin e saj.

Me 5 qershor 2018 në mbledhjen e qeverisë Haradinaj u mor vendimi për krijimin e zones me interes të veçantë me qëllim krijimin e zonës ekonomike i cili përmbante edhe parcelat të cilat planifikohej të ndërtohej kjo zone.

Në Kuvendin Komunal të Malishevës, asambleistë opozitarë përfshirë dhe mua patëm ngritur shqetësimin për mënyren sesi fshehurazi nga ne dhe nga opinioni publik ishte zhvilluar ky proces.

Sipas ligjit për zonat ekonomike 04/L-159, neni 5 dhe 7 si dhe sipas udhëzimeve administrative të MTIsë 01/2014 dhe 02/2014 ato mund të fillojnë me iniciativë nga komuna apo edhe nga qeveria, por në bashkëpunim të ngushtë me komunën ku në mes tjerash kërkohet njoftimi dhe vendimarrja e Kuvendit Komunal si dhe organizimi i dëgjimeve publike.

Gjithashtu, arsyeshmëria shtesë përfshin edhe koston e gjithmbarshme përfshirë vënien në dispozicion të pronës publike, kurse përcaktimi dhe shpallja e zonave bëhet në pajtim me Planin nacional për zhvillimin e zonave ekonomike. Por asnjëra dhe as tjetra nuk u morën për bazë.

Qeverisja lokale në Malishevë, e vetëdijshme për këtë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, qëllimshëm anashkaloi kuvendin komunal dhe Planin zhvillimor komunal duke krijuar një komunikim joformal dhe partiak në mes qeverisjes lokale (kryetari, nënkryetari, drejtorët përkatës) me eksponentë të MTI-së Durim Limaj dhe qeverisë Endrit Shala&Co përfshirë edhe vet ish zv.kryeministrin Limaj, të cilët me qëllim të përfitimit personal dhe grupor caktuan kundërligjshëm lokacionin e ndërtimit të kësaj zone në disa parcela të cilat vite më pare ishin privatizuar nga vetë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre, me çmim kriminal prej 10 eurosh.

Fatkeqësisht njëri nga bashkëpronarët ndërroi jetë në rrethana për mua të çuditshme, pikërisht disa ditë pas vendimit të qeverisë Haradinaj për zonën ekonomike për të cilën do të bëhej kompensimi i pronarëve.

Parcelat e figuruara në vendimin e kryeministrit Haradinaj shpërfaqin tërë këtë ndërmarrje kriminale, e cila buxhetit të qytetarëve pritet do t’u kushtojë rreth 10 milion euro që planikohen të përfundojnë në xhepat e Limaj&Co.

Dje përfituan nga kompensimet nga autostrada, kurse tani ia kanë ngulur dhëmbët zones ekonomike.

Pra, shkurt e shqip këto parcela që kapin një hapësirë prej 87 hektarësh për të cilat i paguan vetëm100 mijë euro, po planifikohet të kompensohen me 10 milion euro, pra 10 fishi i çmimit blerës pa llogaritur planet për t'i akomoduar bizneset e tyre eksponentë të Nismës, me qëllim shpërlarjen e parave duke përfituar me metoda tipike mafioze.

Mirëpo, sipas disa informacioneve lajmi i mirë është që me këtë çështje kanë filluar të merren organat e drejtësisë dhe uroj që t'i shkojnë deri në fund.

Kjo ndërmarrje kriminale duhet të stopohet sa më parë duke pamundësuar fillimisht çfardo transaksioni e kompensimi ndaj palëve të involvuara dhe duke i nxjerrë të gjithë të përfshirët para drejtësisë.
Ftoj edhe mediat që të hulumtojnë edhe më thellë këtë skandal milionësh jo të parin të Limajt por njërin nga më të mëdhenjtë të tij që rrënjët i ka që nga koha e privatizimit të 800 hektarëve të ndërmarrjes bujqësore Mirusha dhe kalimit të autostradës nëpër pronat ato prona.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat