Administrata në duar të krimit: Ai u pajisen me shtetësi të Kosovës trafikantët turq të drogës?

Aktuale

Administrata në duar të krimit: Ai u pajisen me shtetësi të Kosovës trafikantët turq të drogës?

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 14:20
Flamur Sefaj dhe Bekim Hoxha

Në pjesën e dytë të hulumtimit për pajisjen e kriminelëve ndërkombëtarë me shtetësi dhe dokumente të Republikës së Kosovës, Insajderi sjell detaje të kësaj veprimtarie kriminale. Në këtë hulumtim zbulohen emra të zyrtarëve të përfshirë në këtë aferë dhe përgjegjësve me pozita të larta që kanë për detyrë pamundësimin e një gjëje të tillë. Dy përgjegjësit e sistemit, AFIS, që ka qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë, janë: Bekim Hoxha – drejtor i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) dhe Jeton Sadriu – përgjegjës për sistemin AFIS.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka promovuar për shumë vjet sistemin AFIS. Ky sistem ka qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë.

Por, në të paktën pesë raste kur kriminelë turq të drogës, e vrasës malazias, kanë marrë shtetësi të Kosovës, në emër të kosovarëve që jetojnë jashtë Kosove, ky sistem nuk ka dhënë rezultat.

U është mundësuar që pos marrjes së shtetësisë, të kenë pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferë të Republikës së Kosovës, ani se ishin në kërkim ndërkombëtar për vrasje, e trafikim ndërkombëtar të kokainës, heroinës e drogave tjera.

Për më keq, dy trafikantë droge, Nejdet Cesuroglu, dhe Iskander Sale, të kenë nga dy identitete në Kosovë.

Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu ka pasur identitetin e Lavdim Nimanit që jeton në Suedi dhe Ljuljzim Shalja, që jeton në Britani të Madhe.

Ndërkaq, Iskender Sale ka pasur identitetin e Xhemaj Shalës dhe Skender Sheremetit. Vetëm mirëmbajtja e këtij sistemi në kuadër të kontratës për pasaporta, letërnjoftime dhe patentëshoferë peshon hiç më pak se 19 milionë e 817 mijë e 750 euro.

Shtetësi dhe dokumente kosovare kanë marrë edhe vrasësi malazias, Mario Millosheviq, i ekstraduar javën e kaluar në Mal të Zi dhe shtetasia turke, Ozden Gur, e dënuar në Turqi me 10 vjet burgim. Milosheviq kishte marrë shtetësinë kosovare nën emrin, Miroslav Kostiq. Ndërkaq, turkja , Ozden Gur, kishte marrë shtetësi me emrin Filloreta Rama.

Sistemi AFIS, mirëmbahet në kuadër të një kontrate rreth 20 milionë euro. Tenderin e negociuar në mënyrë të kundërligjshme e kishte fituar kompania gjermane, “Veridos”.

Dy zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përgjegjës për këtë sistem janë, Bekim Hoxha – drejtor i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) dhe Jeton Sadriu – përgjegjës për sistemin AFIS.

Ministria e Punëve të Brendshme, nuk është përgjigjur në pyetjet, se si ka mundësi që kriminelë të huaj të fitojnë shtetësi kosovare dhe t’u vidhen identiteteve kosovarëve.

“Ju informojmë se lënda e Lavdim Nimanit është në Polici. Për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime të detajuara dhe nuk mund të japim më shumë informacione, pasi me rastin  po merret Policia”, thuhet në një përgjigje të MPB-së.

Ndërkaq, në një bisedë telefonike, Bekim Hoxha, ka thënë se kjo ndodh krejtësisht lehtë për shkak se nuk kërkohen dokumente me fotografi nga personi i parë që aplikon për ekstrakt të lindjes, me të cilin sipas tij aplikohet për dokumente tjera.

Por, kur është pyetur se si ka mundësi që i njëjti person të marrë dy palë dokumente të Kosovës me fotografi dhe shenja të njëjta të gishtërinjve, pa u identifikuar nga sistemi AFIS, ai nuk ka pasur përgjigje.

Për këtë skandal nuk ka pranuar të flasë as prokurorja speciale, Florie Shamolli.

Por si ndodh ky krim shtetëror?

Insajderi ka zbuluar, se ekziston një rrjet zyrtarësh në komunat e Kosovës të cilët identifikojnë kosovarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët nuk kanë marrë ndonjëherë letërnjoftime e pasaporta të Kosovës. Ky rrjet pastaj u raporton zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët mundësojnë aplikimin dhe prodhimin e dokumenteve për shtetas të huaj të cilët merren me krime të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës.

Ndërkohë, sekserë si puna e Alban Gashit, i arrestuar muaj më parë për këtë rast, ndërmjetësojnë me kriminelët për t’u pajisur me shtetësi dhe dokumente në këmbim të shumave të mëdha të parave.

Media ka siguruar dosjen e aplikimit dy shtetasve turq të lidhur me trafikimin e drogës.

Shtetasi turk, Nejdet Cesuroglu, i gjetur i vdekur në Prishtinë kishte aplikuar për ekstrakt të lindjes më 6 tetor 2017 në Gjakovë. Aplikacionin e tij e kishte mbushur zyrtarja, Atlantida Shehdadi.

Turku po aplikonte me prioritet në emër të Lavdim Nimanit nga Çabra e Zubim Potokut, duke i marrë numrin personal, datën e lindjes, vendin e lindjes si dhe emrat e prindërve.

Po atë ditë, turku Nejdet Cesuroglu ishte pajisur me ekstrakt të lindjes në Gjakovë me të dhënat e Lavdim Nimanit. Ekstraktin e kishte lëshuar dhe nënshkruar, Drita Juniku. Adresa e tij e banimit ishte rruga “Pashko Vasa” numër 52, Gjakovë.

Ndërkohë, më 19 nëntor 2015, Lavdim Nimani, kishte nxjerrë ekstrakt të lindjes në fshatin e tij në Çabër.

Po i njëjti person, pra, Nejdet Cesuroglu, i kërkur nga Interpoli, kishte aplikuar në Gjakovë për dokumente me një identitet tjetër – në emër të Ljuljzim Shalja, në të njëjtën ditë që kishte aplikuar dhe ishte pajisur me dokumente në emër të, Lavdim Nimanit.

Ekstraktin e lindjes dhe atë të shtetësisë ia kishte nënshkruar zyrtarja e njëjtë, Drita Juniku. Data e tij e lindjes ishte 8 janar 1979. Vendi i lindjes ishte, Resnik i Klinës. Kësaj radhe, adresë të vendbanimit kishte rrugën “Pal Palucaj”, pa numër në Prizren.

Me të njëjtën procedurë shtetësinë dhe të gjitha dokumentet kosovare i kishte marrë i kërkuari tjetër për trafikim droge, Iskender Sale. Ai ishte me prejardhje nga Ozdrimi i Pejës, por i lindur dhe rritur në Turqi.

Ekstrakti i lindjes, Iskender Sales, në emër të Mehmet Gjinit, i është lëshuar më 13 shtator 2016 në Gjakovë nga zyrtarja, Hyrmete Bejtullahu. Data e tij e lindjes ishte 30 dhjetor 1982 në Bukosh të Suharekës. Adresën e banimit e kishte në rrugën “Ismail Qemajli”, numër 25 në Gjakovë.

Ai kishte marrë edhe identitet tjetër nën emrin, Skender Sheremeti, nga Sheremeti i Gjakovës me vendbanim në Obiliq.

Implikimi i Britanisë së Madhe

Sinjalet e para për identitetin e vjedhur të Ljulzim Shalës nga Nejdet Cesuroglu, kishin ardhur nga Britania e Madhe.

Ambasada e Kosovës në Londër, i kishte shkruar e-mail, Arben Mustafës, kryeinspektor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke kërkuar informacione për Shaljen.

“I nderuari z. Mustafa, ju lutëm shumë të bëni verifikimin për palen Ljuljzim Shalja, numër 1248837876, i cili do të aplikojë për dokumente të Republikës së Kosovës”, shkruan në e-mailin e datës 3 qershor 2017.

Mustafa nuk i ishte përgjigjur Ambasadës në e-mailin e parë.

Ambasada i kishte shkruar sërish në mars të vitit 2018. As kësaj radhe nuk kishte marrë përgjigje.

Një vit e gjysmë pas e-mailit të parë, Ambasada e Kosovës në Londër i kishte shkruar një email tjetër, Mustafës.

“I nderuari z. Mustafa, ju lutem më së largu të premten me duhet një përgjigje për  Ljuljzim Shalja, numër 1248837876”, shkruante në emailin e dërguar nga sekretarja e dytë e Ambasadës së Kosovës në Londër, Vjolca Halimi që mbanë datën 17 dhjetor 2018.

Pesë ditë më vonë ishte përgjigjur, kryeinspektori i Inspektoratit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Arben Mustafa.

“E nderuar, kemi kërkuar nga Komuna nxjerrjen e vendimit për anulim të këtij rasti. Për procedurat e mëtutjeshme ju njoftoj”, shkruante në e-mailin e dërguar më 17 dhjetor 2018 në ora 8 e 47 minuta.

Më 26 prill 2018, Mustafa i kishte shkruar e-mail zyrtarit, Muhamet Gashi, duke kërkuar nga ai që t’ia dërgonte kopjen e regjistrimit të personit, Ljuljzim Shalja.

Po atë ditë ishte përgjigjur zyrtari, Gashi.

“I nderuar, në bazë të kërkesës së juaj, ju informoj se në bazë të verifikimit që kemi bërë në Zyrën e Gjendjes Civile në Jashanicë (të Klinës v.j.), Ljuljzim Shalja nuk gjendet i regjistruar në librat e lindjes në këtë zyrë”, shkruante në emailin e Gashit të dërguar, Arben Mustafës.

Rreth gjysmë ore më vonë, kryeinspektori Mustafa i kishte shkruar një e-mail, zyrtarit të Komunës së Klinës, Muhamet Gashit, duke i kërkuar informacione rreth nxjerrjes së dokumenteve nga ai.

Më 17 dhjetor 2018, gjysmë ore para se t’i përgjigjej Ambasadës në Londër, kryeinspektori i kishte shkruar një email tjetër, zyrtarit në Jashanicë, duke e pyetur se a është nxjerrë vendim për anulimin e Ljuljzim Shaljes nga sistemi.

“Për Ljuljzim Shalja a keni nxjerrë vendim lidhur me anulimin e këtij personi në sistemin e gjendjes civile përderisa nuk ekziston në regjistra të lindjes”, shkruan në emailin e datës 17 dhjetor 2018, ora 8: 29.

Ndërkaq, po atë ditë, Mustafa i kishte shkruar Ambasadës se është nxjerrë vendim për anulimin e rastit të Ljuljzim Shaljes.

Zyra e Gjendjes Civile në Jashanicë, ka qenë objekt hetimesh në të kaluarën pikërisht për dallavere të tilla.

Zyrtari, Valdet Berisha, është dënuar më 16 muaj burgim. Ai ka pranuar fajësinë në mars të vitit 2016 për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

Berisha, nga gjatë periudhës kohore 2013-2016, si zyrtar i gjendjes civile në fshatin Jashanicë të Klinës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete. Këtë e bënë duke përpiluar dhe lëshuar ekstrakte të lindjes me përmbajtje të rreme, duke ndryshuar të dhënat e identitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat