Limaj reagon pas vendimit të Supremes që e futë Nismën në Kuvend

Aktuale

Limaj reagon pas vendimit të Supremes që e futë Nismën në Kuvend

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 16:51
Fatmir Limaj

Pas vendimit të Gjykatës Supremes që fletëvotimet e ardhura nga Serbia të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të gjashtë tetorit, ka reaguar edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Sipas tij, vendimi i Supremes është fitore e ligjshmërisë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Limaj ka thënë se Gjykata Supreme dhe PZAP me këto vendime treguan se shteti ligjor këtu funksionon dhe institucionet e këtij shteti ligjor janë gardian në mbrojtje të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

“Ne si Nismë ndihemi krenar që ngritëm zërin dhe u angazhuam fuqishëm me gjithë kapacitetin tonë që të mos lejojmë para syve tanë individë të caktuar përmes kontrabandimit të deformojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka shkruar ai.

Sipas Limajt, pas këtij vendimi në dy shkallët më asnjëherë nuk mund që persona të papërgjegjshëm të grabisin e deformojnë vullnetin e qytetarëve në mënyre të paligjshme.

“Andaj, unë shfrytëzoj rastin që në emër të Nismës dhe partnerëve të koalicionit dhe me tepër se 42 mijë votuesve të koalicionit tonë, tu shprehi mirënjohje, respektin dhe konsideratën time më të lartë të gjithë gjyqtarëve profesionistë të cilët kanë marrë këtë vendim dy here”, ka shkruar Limaj.

Ndryshe, Gjykata Supreme ka refuzuar të gjitha ankesat, përfshirë këtu të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, KDTP-së, PLE-së, PDA-së e PDS-së në PZAP, i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia.

“Pas shqyrtimit nga ana e Kolegjit ankesa nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) është refuzuar, dy ankesa nga deputetë të Lëvizja Vetëvendosje-së (LVV) janë refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Demokratike të Ashkalinjve (PDA) është refuzuar dhe Ankesa nga deputetë të Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e pa-lejuar”, thuhet në përgjigjen e dërguar për media.

Kësisoj, Nisma Socialdemokrate pritet të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve veçse ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Pritet që rinumërimi e certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zgjasë deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat