Valdete Daka mesazh partive politike: Mos e dëmtoni procesin e rinumërimit

Aktuale

Valdete Daka mesazh partive politike: Mos e dëmtoni procesin e rinumërimit

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 12:52
Valdete Daka

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka u ka bërë thirrje partive politke që të mos dëmtojnë procesin e rinumërimit.

Reagimi i Dakës vjen pas akuzave dhe kundërakuzave mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate rreth rinumërimit të 1407 vendvotimeve në QNR.

Këto dy parti kanë akuzuar njëra-tjetrën se vëzhguesit e tyre po ndërhyjnë jashtëligjshëm në rinumërimin e votave.

Daka u ka bërë thirrje palëve që janë të përfshira në procesin e rinumërimit që ta ruajnë qetësinë dhe t’i përmbahen rregullave të QNR-së.

“Në këtë fazë, e shoh të nevojshme që të jap këtë mesazh për të gjitha palët që janë pjesë e procesit si dhe duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; t’u përmbahen rregullave dhe procedurave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik”, thuhet në mesazhin e kryetares së KQZ-së.

Daka ka thënë se çdo palë që ka vërejtje mund të bëjë ankesë në PZAP.

“Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, thuhet në mesazhin e Dakës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat