Zyra e emisarit të Trumpit: Grenell, Pompeo dhe Merkel biseduan për dialogun Kosovë – Serbi

Aktuale

Zyra e emisarit të Trumpit: Grenell, Pompeo dhe Merkel biseduan për dialogun Kosovë – Serbi

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 16:15
Zyra e emisarit të Trumpit: Grenell, Pompeo dhe Merkel biseduan për dialogun Kosovë – Serbi

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka qëndruar për një vizitë treditore në Gjermani, me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Kryediplomati amerikan ka takuar kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një takim ku ka qenë i pranishëm edhe emisari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, që është edhe ambasador atje. Mes shumë temash aty është diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Dick Custin, zyrtar për media i Përfaqësuesit Special Presidencial i Negociatave për Paqe Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell.

“Po, çështja e Serbisë dhe Kosovës është ngritur në takimet që ka pasur ambasadori”, ka thënë Custin lidhur me takimin e 9 nëntorit të mbajtur në Berlin.

I pyetur nëse ambasadori Grenell është duke planifikuar ndonjë takim të nivelit të lartë Prishtinë – Beograd, Custin nuk ka dhënë ndonjë datë, duke theksuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me qeveritarët në Kosovë dhe Serbi, dhe se synimi i tij mbetet nxitja e zhvillimit ekonomik që do ta dërgojë rajonin drejt qëndrueshmërisë.

“Përfaqësuesi Special Presidencial, ambasadori Grenell, është në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarë qeveritarë, njerëz të biznesit dhe të tjerë në dy shtetet, Kosovë dhe Serbi. Fokusi i tij vazhdon të mbetet krijimi i zhvillimit ekonomik për të dërguar rajonin drejt sigurisë, zhvillimit dhe stabilitetit”, ka potencuar tutje zyrtari për media i emisarit të presidentit të SHBA-së për dialogun.

Media, gjithashtu, është interesuar të dijë nëse Richard Grenell është kontaktuar nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, rreth planeve për një takim të mundshëm Kosovë – Serbi gjatë janarit 2020, gjë për të cilën ka folur presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, pas një takimi që ka pasur me kreun e shtetit francez në Paris këtë javë.

Por Dick Custin thotë se Grenell nuk është kontaktuar nga Emanuel Macron lidhur me një plan të tillë.

Madje, ka thënë se s’është njoftuar as për takimin e mbajtur mes Thaçit dhe Vuçiqit në Paris.

“Ambasadori s’ka qenë në kontakt me presidentin e Francës lidhur me asnjë takim”, ka përfunduar zyrtari për media i përfaqësuesit special presidencial për dialogun Kosovë – Serbi, Dick Custin.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

SHBA-ja e Bashkimi Evropian kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për pezullimin e një mase të tillë për të mundësuar një rikthim në dialog, megjithatë kryeministri Haradinaj kishte rezistuar ndaj një presioni të tillë ndërkombëtar, ndërkohë Beogradi zyrtar rinisjen e bisedimeve e kushtëzonte me heqjen e taksës.

Një masë e tillë vazhdon të jetë ende në fuqi, derisa Kosova pret krijimin e qeverisë së re. Kreu i VV-së, Albin Kurti, i cili ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, dhe pritet të jetë kryeministër ka thënë se një masë të tillë do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë me Serbinë.

Ndërkohë, pritet të shihet nëse Serbia do të rikthehet në dialog, duke qenë se Franca, Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë një rikthim të shpejtë në dialog. Pas vizitës së Richard Grenell në Kosovë, gjithashtu është folur rreth një afati kohor për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi, megjithatë gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Matthew Palmer, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor, duke potencuar se “sa më shpejt të arrihet, aq më mirë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat