Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve, flet koordinatori i QNR-së!

Aktuale

Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve, flet koordinatori i QNR-së!

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 17:36
Foto ilustrim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në fillim të javës mori vendim të rinumërohen edhe 1407 vendvotime, proces i cili është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.

Por për procesin e rinumërimit, Nisma Sociale Demokrate në një komunikatë për media thotë se ka parregullësi të mëdha. NISMA gjatë ditës së sotme ka thënë se dy anëtarët e VV-së, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi po ndërhyjnë vazhdimisht në tavolinat e rinumërimit për të dirigjuar se cila votë është e vlefshme apo e pavlefshme dhe presioni që po u bëhet vëzhgueseve dhe stafit të QNR-së është skandaloz dhe në kundërshtim me ligjin.

Për këtë, reagoi menjëherë aktivisti i VV-së Alban Krasniqi. Sipas Krasniqit i cili është edhe bashkëshort i deputetes Albulena Haxhiu, në QNR Nisma ka sjellë njerëz për të krijuar tensione, ndërsa i ka akuzuar ata edhe për ngacmime seksuale.

Por, siç ka treguar koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, procesi është duke vijuar pa probleme dhe pa parregullsi. “Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është e obliguar drejtpërdrejtë në bazë të procedurave janë dhe deri tani është duke u respektuar në plotëni procedurat e QNR-së.

Nuk kemi ndonjë parregullsi deri më tani. Po shkon procesi pa probleme dhe nuk kemi ndonjë ankesë”, ka thënë Ahmetaj.

Ahmetaj ka thënë se nëse ndonjë nga vëzhguesit pengon procesin e numërimin , ata largohen nga QNR. Por sipas tij, ende nuk ka ndodh ndonjë incident i tillë. “Në bazë të rregullave në QNR nëse vëzhguesit pengojnë procesin dhe shkelin kodin e mirësjelljes , atëherë veç mundem me udhëzu kryeshefin e KQZ-së dhe mundem me i largu prej Qendrës secilin vëzhgues që e shkel kodin dhe e pengon procesin.

Kjo është edhe në rregull zgjedhor që të largojmë, na u jipet kjo e drejtë”, shtoi ai. Lidhur me tensionet e ngritura në mes partive politike, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sot i ka ka ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke iu përmbajtur rregullave dhe procedurave të kësaj qendre, të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik.

“Zyrtarët e numërimit duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre në mënyrë të lirë, të papenguar dhe profesionale. Çdo ndërhyrje në punën e zyrtarëve të numërimit vështirëson dhe ngadalëson procesin për certifikimin e rezultateve përfundimtare si dhe detyron KQZ-në të marrë masa ndaj personave që nuk respektojnë rregullat për vëzhgim. Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat