AKR-ja drejt Kurtit në qeveri, NISMA në opozitë - Bota Sot
AKR-ja drejt Kurtit në qeveri, NISMA në opozitë

Aktuale

AKR-ja drejt Kurtit në qeveri, NISMA në opozitë

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 16:29
Behgjet Pacolli dhe Albin Kurti

Zyrtarë të AKR-së po thonë se janë të hapur për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Islam Pacolli zyrtar i AKR-së ka thënë se në momentin që certifikohen zgjedhjet çdo bisedim me Vetëvendosjen e Kurtit është i mirëseardhur.

Albin Kurti kishte ndryshuar qëndrim për Behgjet Pacollin në prag të zgjedhjeve të 2017-ës. Atëkohë, ishin bërë edhe plane për koalicion parazgjedhor. As atëherë dhe as më 6 tetor s’ka pasur ndonjë bashkëpunim por i kanë pushuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Por, tash pas konfirmimit se Pacolli do t’i ketë dy deputetë kanë rinisur të përmendet mundësia e një bashkëpunimi VV-AKR.

Madje, Islam Pacolli, zyrtar i ri i Partisë së themeluar nga milioneri kosovar, ka thënë se bisedimet me VV-në do të nisin posa të certifikohet rezultati zgjedhor.

“Në momentin që certifikohen zgjedhjet çdo bisedim me Vetëvendosjen është i mirëseardhur”, ka thënë Pacolli.

Ai po ashtu ka thënë se nuk kanë vija të kuqe me VV-në dhe AKR është e hapur me të gjitha partitë.

“Vijat e kuqe nuk duhen të përdoren dhe AKR-ja nuk ka pasë mosmarrëveshje me askënd dhe është e hapur me të gjitha partitë dhe e ka dëshmuar deri më tash”, është shprehur Pacolli.

Tutje, zyrtari i AKR-së ka deklaruar se Presidenti i partisë, Behgjet Pacolli nuk do të marrë vendime kokë më vete, por do të kalojnë përmes kryesisë së partisë.

 “Çdo vendim që AKR dhe Presidenti i partisë do të ndërmarr i nxjerrim në kryesi të partisë duke i respektuar rregullat demokratike”, ka thënë Pacolli.

Partia e Behgjet Pacollit ka përvojë të gjatë në Qeveri. Edhe në zgjedhjet e fundit ishte larguar nga koalicioni me LDK-në dhe ishte bashkuar PDK-AAK-NISMA-s, duke ndërtuar Qeverinë e re me hise të madhe në Qeveri e me një deputet në Parlament.

Partneri i koalicioni NISMA ka nisur të përplaset me Vetëvendosjen. Zyrtarë të Partisë së Kurtit kanë përmendur mundësinë e shkuarjes edhe një herë në zgjedhje të reja vetëm që mos ta kenë në koalicion Partinë e Fatmir Limajt.

Në fakt, koalicionit të paralajmëruar VV-LDK i duhen vetëm edhe katër vota për të ndërtuar Qeverinë, të cilat mund të sigurohen nga pakicat jo serbe por edhe te AKR-ja e Pacollit.

Formimit të qeverisë së ardhshme do t’i paraprijë votimi në Kuvendin e Kosovës nga shumica e thjeshtë prej 61 deputetëve.

Nëse VV e LDK arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë, në Kuvend së bashku do të kenë 57 deputetë (29 deputetë VV dhe 28 LDK).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar të rinumërojë 1407 vendvotime nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Deri tani janë numëruar 300 vendvotime dhe ky proces po pritet të përfundojë javën e ardhshme. Pas rinumërimit, nëse nuk ka ankesa në PZAP, KQZ-ja do të certifikojë zgjedhjet e mbajtura më gjashtë tetor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat