KQZ thyen një rekord – ia kalon krejt rajonit

Aktuale

KQZ thyen një rekord – ia kalon krejt rajonit

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 17:43
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk është gati për t’i certifikuar rezultatet përfundimtare të shpallura javën që shkoj, ani pse zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor.

Tashmë me vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e 1428 vendvotimeve të tjera, mund të mos ketë certifikim deri në dhjetor dhe vonim të konstituimit të institucioneve të reja.

Kosova është e para në rajon për stërzgjatje të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi për zgjedhjet nuk janë vonuar as një muaj për shpalljen e rezultateve dhe certifikimin e tyre.

Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se në bazë të përvojave të deritashme, fatkeqësisht procesi zgjedhor ka marrë tatëpjetën dhe një zvarritje të pa imagjinuar, sepse është zhgënjyes fakti për mos efikasitetin e KQZ-së.

Përveç kësaj, sipas Baraliut, rritet edhe kostoja financiare me këto stërzgjatje të vazhdueshme.

Ish-kryetari i KQZ-së pohon se Kosova në vazhdimësi është duke u vonuar në procesimin dhe certifikimin e rezultateve zgjedhore, krahasuar me vendet e rajonit.

Ai thotë se duhet të zbatohen teknikat dhe metodat digjitale më moderne që janë në KQZ.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, është arsyetuar për vonesën e shpalljes së rezultateve dhe të certifikimit, duke thënë se është e natyrshme, sepse në çdo vend ka specifika të ndryshme të procesit zgjedhor.

Elezi thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vepron sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe se është e detyruar të zbatojë të gjitha aspektet ligjore.

Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, thotë se në zgjedhjet e vitit 2017, shpallja e rezultateve përfundimtare ishte rreth 1 muaj, që njëkohësisht ka ndodhur edhe certifikimi.

Në Maqedoni të Veriut për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 11 dhjetor 2016, rezultatet janë certifikuar më 28 dhjetor 2016, ose jo më shumë se tri javë ka zgjatur numërimi dhe certifikimi.

Edhe në Mal të Zi, zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 16 tetor 2016, ndërsa më 30 tetor KSHZ i shpalli rezultatet përfundimtare.

Ndryshe, për dallim nga zgjedhjet e sivjetshme, në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që ishin zhvilluar më 11 qershor të vitit 2017, nuk ka pasur vonesa më shumë se 1 muaj.

KQZ-ja kishte certifikuar rezultatet zgjedhore më 8 korrik 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat