Ish-mjeku i UÇK-së: Gjykata Speciale nuk e njollos UÇK-në, por kriminelët që ishin pjesë e UÇK-së

Aktuale

Ish-mjeku i UÇK-së: Gjykata Speciale nuk e njollos UÇK-në, por kriminelët që ishin pjesë e UÇK-së

Nga: N.Sh Më: 18 nëntor 2019 Në ora: 08:40
Liri Loshi

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi ka reaguar ndaj atyre pohimeve që po thuhen se ftesat e Gjykatës Speciale e kanë për qëllim njollosjen e UÇK-së.

Loshi thotë se, UÇK-ja është meritorja kryesore për lirinë e popullit dhe për krijimin e shtetit të Kosovës.

“Si mundka, pra, një gjykatë ta njollosë një ushtri të tillë?! Nuk mundet! Sepse, nëse qëllim fillestar na qenka njollosja e UÇK-së, atëherë qëllim përfundimtar duhet të jetë zhbërja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës! Cilit njeri me dy fije mend në kokë, pos eksponentëve të politikës serbe, mund t’i shkojë ndërmend një paradoks i tillë?!”, shkruan Loshi në reagimin e tij në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai shton se, ftesat për gjykim nuk e njollosin UÇK-në sepse Gjykata nuk mund të sjellë vendime për veprat të cilat nuk kanë ndodhur, por ajo as nuk mund t’i heshtë veprat që eventualisht konstaton që kanë ndodhur.

“Gjykata pra, është aty për të ndarë drejtësi. Dhe drejtësia asnjëherë nuk mund të quhet njollosje! Mirëpo, nëse ndonjë komandant, apo ushtar i UÇK-së ka bërë krime, atëherë UÇK nuk mund të shpëtojë pa e marrë një pjesë të asaj njolle. Por, logjikisht, nuk është Gjykata Speciale, por janë vetëm kriminelët eventualë që mund të kenë qenë pjesë e UÇK-së e që mund ta njollosin UÇK-në”, thotë tutje Loshi, përcjell gazeta “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Ftesat për gjykim nuk e njollosin UÇK-në

Nuk po kuptoj kur po thuhet se ftesat për Gjykatën Speciale të Hagës kanë për qëllim njollosjen e UÇK-së! Çka është ky politizim i çoroditur me ftesat e Gjykatës Speciale të Hagës?! UÇK është meritorja kryesore për lirinë e popullit dhe për krijimin e shtetit të Kosovës. Si mundka, pra, një gjykatë ta njollosë një ushtri të tillë?! Nuk mundet! Sepse, nëse qëllim fillestar na qenka njollosja e UÇK-së, atëherë qëllim përfundimtar duhet të jetë zhbërja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës! Cilit njeri me dy fije mend në kokë, pos eksponentëve të politikës serbe, mund t’i shkojë ndërmend një paradoks i tillë?!

Ftesat për gjykim nuk e njollosin UÇK-në. Gjykata nuk mund të sjellë vendime për vepra që nuk kanë ndodhur. Por, ajo as nuk mund t’i hesht veprat që eventualisht konstaton se kanë ndodhur. Gjykata pra, është aty për të ndarë drejtësi. Dhe drejtësia asnjëherë nuk mund të quhet njollosje!

Mirëpo, nëse ndonjë komandant, apo ushtar i UÇK-së ka bërë krime, atëherë UÇK nuk mund të shpëtojë pa e marrë një pjesë të asaj njolle. Por, logjikisht, nuk është Gjykata Speciale, por janë vetëm kriminelët eventualë që mund të kenë qenë pjesë e UÇK-së e që mund ta njollosin UÇK-në.

Mendoj se është e drejtë të thuhet se UÇK nuk ka bërë krime, por se a ka bërë krime dikush nga radhët e UÇK-së a jo, këtë mund ta thotë vetëm drejtësia. Dhe, kushdo që ndihet i pafajshëm, nuk ka nevojë të frikësohet nga drejtësia!

Ky proces gjyqësor, absolutisht nuk është në favor të shqiptarëve, por ajo që dua të them është se shqiptarët nuk kane pse t’i frikësohen këtij procesi. Unë mendoj se kjo gjykatë më shumë ka problem për ta gjetur të vërtetën që ka ndodhur, sesa që ka për qëllim, apo mundësi të kurdisë gjera që nuk kanë ndodhur. Prandaj, lereni të qetë gjykatën. Po ashtu, lerini të qetë të akuzuarit dhe deshmitarët! Të shohim së pari se çfarë akuzash do të ngrisin prokurorët dhe se çfarë verdiktesh do të sjell kjo gjykatë. Tek pastaj mund ta bëjmë ndonjë koment...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat