Lutfi Haziri i vendosur: Koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ka ndodhur, ekziston vetëm një vonesë

Aktuale

Lutfi Haziri i vendosur: Koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ka ndodhur, ekziston vetëm një vonesë

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 18:18
Lutfi Haziri

Marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje tashmë ka ndodhur, ka thënë sot nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Në një intervistë të shkurtër për Info Magazine, Haziri u shpreh se nuk ekziston asnjë ngërç në lidhje me krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet LDK-së dhe VV-së. Ka thënë se pritjet e rivalëve politik “janë joreale” dhe ka deklaruar se “parimisht koalicioni [LDK-VV] ka ndodhur”.

“Nuk ka asnjë lloj ngërçi sa i përket krijimit të një koalicioni ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ju siguroj se politikat sektoriale dhe programin qeverisës e kemi përafruar jashtëzakonisht shumë deri në pajtueshmëri. E gjithë ajo që këto ditë më shumë po flitet, është se nga kampet rivale politike ekzistojnë pritje joreale sepse ai [koalicioni] ka ndodhë”, ka thënë Haziri.

Ndonëse gjatë dy javëve të fundit bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë qenë të pakta, nënkryetari i Lidhjes Demokratike ka thënë se takimet do të zhvillohen siç janë paraparë me kalendar.

“Takimet tona janë duke u zhvilluar sipas kalendarit dhe asnjë lloj vonese nuk ka. Vonesa e vetme është shkaku i rinumërimit të votave nga KQZ”, është shprehur Haziri.

Haziri nuk ka dashur të komentojë shumë në lidhje me përfshirjen e mundshme të Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re në qeverisjen e ardhshme, duke thënë se për këtë çështje do të vendosin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo çështje i përket fituesit të zgjedhjeve, z. Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë mandantin për krijimin e qeverisë së re. Nuk mund të paragjykojmë asgjë derisa Nisma dhe AKR të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Dy partitë opozitare nga legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet.

Bazuar në rezultatet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, është subjekti politik që duhet t’i iniciojë bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat