Sociologët dhe psikologët tregojnë arsyet pse është rritur numri i të zhdukurve - Bota Sot
Sociologët dhe psikologët tregojnë arsyet pse është rritur numri i të zhdukurve

Aktuale

Sociologët dhe psikologët tregojnë arsyet pse është rritur numri i të zhdukurve

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 20:28
Foto ilustrim

Çdo ditë në rrjete sociale, e media raportohet për persona të zhdukur. Derisa, disa raste paraqiten edhe në polici, ku janë vet familjarët që kërkojnë ndihmë. Vetëm deri në fund të muajit tetor të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës, janë iniciuar 190 raste, numër ky jo edhe i vogël.

Ferdi Kamberi, sociolog kosovar thotë se fenomeni i zhdukjes së personave, si fenomen nuk është i ri, ai është prezent në çdo shoqëri dhe kulturë, por që shifrat e fundit që kanë dalë në vendin tonë, përbëjnë shqetësim mjaftë serioz.

“Lidhur me zhdukjen e personave që janë raportuar së fundi, mund të themi se është një shqetësim serioz jo vetëm për familjen por edhe për vetë institucionet e vendit. Shqetësimi bëhet edhe me serioz kur nuk raportohet menjëherë personi i humbur/zhdukur. Lidhur me këtë duhet të ketë një vetëdijësim më të madh të shoqërisë qoftë përmes mjeteve të informimit, bashkëpunimit në mes të qytetarëve dhe institucioneve tjera apo edhe diskutimeve tjera në medie dhe në hapësira tjera, për shkak se kjo cenon sigurinë e përgjithshme si të individit po ashtu edhe të shoqërisë dhe mund të ketë implikime të tjera në panikun e shoqërisë mbi sigurinë e përgjithshme”.

Sa i përket faktorëve që ndikojnë në këtë dukuri, Kamberi përmend disa prej tyre, ndërsa thotë se pasojat e humbjes së personave kryesisht lidhen me vet personat, sepse në pjesën më të madhe të rasteve, ata rezultojnë me vdekje ose ushtrim të prostitucionit, shitjes së tyre për trafikim me organe nga grupet kriminale, e të tjera.

Por, në të njëjtën kohë, edhe për familjen ka pasoja, marrë parasysh këtu, shqetësimin e tyre, problemet, e deri tek sëmundjet e tjera si rezultat i humbjes së personit të familje. Gjithashtu pasojat sipas tij barten edhe deri tek shoqëria, që reflektojnë në shfaqjen e pasigurisë sociale dhe fizike, duke e shndërruar një të tillë në frikë të përgjithshme dhe mungesë të sigurisë.

“Mund të thuhet se prej faktorëve që mund ndikojnë në këtë dukuri janë: zhdukja e qëllimshme që kryesisht i atribuohet faktorëve të shumtë, përfshirë këtu vështirësitë që kanë njerëzit në integrimin gjithë-shoqërorë, problemet familjare, mbingarkesa, shpërfaqja e dhunës në familje që mund të jetë faktorë, sidomos gjinia femërore mund të ketë synim humbjen pa paralajmërime, por nuk përjashtohet mundësia që edhe meshkujt të veprojnë njësoj.

Faktorë të tjerë janë edhe: depresioni, sëmundjet tjera mendore si: problemet me neuoroza dhe psikoza, vetëvrasja, pastaj abuzimet me alkoolin dhe drogat (overdoza), rrethanat e dyshimta apo qëllimet e dyshimta nga grupe të ndryshme (me prapavijë kriminale). Faktorë të tjerë mund të jenë edhe lidhja emocionale ndërmjet çifteve ku familja nuk miraton një status të tillë, andaj çifti vendos që për një kohë të inskenon humbjen e tyre, pastaj shfaqen pas një kohe. Po ashtu, faktorë të tjerë janë edhe papunësia dhe varfëria ku kjo ndërlidhet dukshëm me standardin e shoqërisë kosovare që ka një varfëri rreth 40%, pastaj faktorë janë edhe: ushtrimi i prostitucionit dhe trafikimi me qenie njerëzore, madje lidhur me këtë sipas Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian thuhet se Kosova ende konsiderohet si vend tranzit i trafikimit me qenie njerëzore, etj.

Faktorë të tjerë të cilët nuk përjashtohen janë: edhe humbja sidomos fëmijëve si rezultat i abuzimit me ata/ato, bashkimi në ndonjë kultë fetar që nuk ka kontakt me botën e jashtme, kjo sidomos është evidente në shumë shoqëri perëndimore, pastaj rrëmbimi, vdekja natyrore, si dhe faktorë të tjerë”.

Që zhdukja e personave apo anëtarëve të familjes paraqet rrezik edhe në aspektin psikik e thotë edhe psikologu kosovar, Arbër Zeka se kushdo që raportohet në polici ose nga policia si dikush, vendndodhja e të cilit është e panjohur, pavarësisht rrethanave të zhdukjes së tyre, dhe që konsiderohen si të zhdukur deri në lokalizim, është trishtim për familjen dhe vetë shoqërinë.

“Familjet e personave të zhdukur reagojnë në mënyra të ngjashme me ata të ekspozuar ndaj një traume të papritur: shqetësim shoku, konfuzion, ambivalencë dhe një ndjenjë e konsiderueshme e të qenit i mbingarkuar’, si rezultat i çdo informacioni që mund të pritet, negativ apo pozitive, mbi anartrinë familjar për të cilin assesi nuk guxoj të humbasim shpresën së është zhdukur përgjithmonë.

Familjarët gjithashtu përjetojnë ndjenjë zemërimi dhe zhgënjimi në përgjigje të situatës. Ky zemërim mund të drejtohet drejt personit të zhdukur, vetes, anëtarëve të tjerë të familjes, ose atyre që janë jashtë njësisë së familjes, në varësi të kujt ata e kuptojnë se janë fajtorë për situatën. Zemërimi dhe zhgënjimi gjithashtu mund të drejtohen në polici ose organizata të tjera të cilat nuk po bëjnë sa duhet për të gjetur personin e zhdukur ose se ata nuk po bëjnë aq sa duhet për të gjetur personin”.

Në anën tjetër, numri më i madh i personave të zhdukur që janë raportuar në polici, rezultojnë të jenë të gjinisë femërore, raste këto mjaftë të ndjeshme, për të cilën psikologu Zeka thotë se duhet të minimizohet kjo gjendje.

“Ndërsa ekzistojnë rreziqe të qenësishme që i bashkëlidhen çdo ngjarjeje të personave të zhdukur, grupe specifike të popullsisë njihen si veçanërisht të ndjeshme. Sekret i errët dhe i hapur i zhdukjes së femrave kanë shumë më shumë gjasa të jetë raste dhunimi dhe se fatkeqësisht ka shumë shumë gjasa të vriten është i vërtet. Megjithë mijëra gra që mungojnë çdo vit, dhe mijëra dhunohen gjatë jetës së tyre, çuditërisht pak statistika janë të disponueshme dhe më pak punë është bërë që të minimizohen kjo gjendje, prandaj nuk mund të thuhet.

Një pjesë thelbësore e të kuptuarit të një problemi shoqëror dhe një pararendës për parandalimin e tij, është të kuptuarit e asaj që e shkakton atë, ky problem si duket duhet të konsistoj në një linje hetimi: ekzaminimi i karakteristikave që ndikojnë në sjelljen e shkelësve dhe marrja parasysh nëse disa gra kanë një ndjeshmëri më të lartë ndaj viktimizimit se sa tjerët subjekte apo fenomeni. Në të kundërtën vetëm hipotetikisht mund të themi se mos pasja fuqi mjaftueshme ne rrethin shoqëror dhe mos trajtimi i duhur i merituar i femrës po bën që të abuzohet me të apo të i shkelen të drejtat e saj”.

Ndërsa, sociologu Kamberi këtë e lidh presionin që gratë kanë në familje, komunitet, por edhe shoqëri.

“Konsideroj se disa nga arsyet e humbjes/zhdukjes së grave janë edhe presioni që bëhet ndaj tyre në familje, komunitet dhe shoqëri, sepse shpeshherë ato janë më të ekspozuara ndaj presioneve, stigmatizimit apo linçimit publik dhe shpeshherë si rezultat i një sistemi patriarkal më shumë atakohen gratë se sa burrat. Me fjalë të tjera, është një model sistematik patriarkal i cili është bartur, është trashëguar edhe pse shoqëria në fakt së fundi ka ndryshuar, por gjithsesi se ky model akoma vazhdon që të ketë presione të shumta ndaj gruas, duke e parë atë si dytësore në raport me burrat, duke etiketuar, duke e portretizuar edhe me gjuhë seksiste dhe shpeshherë gratë si rezultat i pafuqisë, presionit, pavarësimit ekonomik, dhunës, por edhe faktorëve të tjerë, janë të prekura nga ky fenomen, megjithëse edhe burrat janë po ashtu të prekur”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat