Ramush Haradinaj: Kam mundur të jepja dorëheqje shumë herë, por ftesa nga Specialja e bëri të pashmangshme

Aktuale

Ramush Haradinaj: Kam mundur të jepja dorëheqje shumë herë, por ftesa nga Specialja e bëri të pashmangshme

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 00:05
Ramush Haradinaj

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë se dorëheqja e tij katër muaj më herët nga ky post lidhet plotësisht me ftesën e marrë nga Gjykata Speciale dhe jo me përçarjet që kishte me partnerët në koalicion.

Ai ka thënë se ka mundur të jepte dorëheqje shumë herë, por sipas tij, ftesa nga Specialja, e bëri të pashmangshme dorëheqjen.

“E vërteta është se të gjithë këta që kanë një besim të caktuar në vend (ish-partnerët qeverisës), më kanë dhënë mundësinë e një qeverisje Haradinaj. Ata kanë pranuar të udhëheq unë, e jo që AAK-në t’ia dorëzoj PDK-së, SHIK-ut, por Kosovës. I respektoj PDK-në dhe besimin e Veselit. Por kjo dallon sepse s’kam bë koalicion për të përkrahur një koncept të caktuar, por për një vizion timin qeverisës. Dallimet mes nesh ishin. Por u pa se s’isha servil e se kam qenë vetëm kryeministër i vendit. Mos e harroni komponenten e Speciales. Kam pasur mundësi të jap më herët dorëheqje, por s’kam dashur të jem kryeministri juaj kur e dinë njerëzit që kryeministri është me thirrje ndërkombëtare. Kam thënë se s’dua ta mbaj peng Kosovën. Kryeministrin ia kthej popullit. Mandati ishte te populli”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë tutje se do të ishte tejet e rëndë nëse ai do të shkonte në intervistën në Hagë si kryeministër i vendit.

Sipas tij, kushdo nga krerët e vendit, përfshirë presidentin, nëse merr ftesën e s’jep dorëheqje, “do t’i bënte dëm vendit”.

Haradinaj ka thënë se nuk ka pasur diskutime me Vetëvendosjen e LDK-në për përfshirje në qeverinë e re. Ka thënë se “Qeverisë Kurti i duhet qeverisje më e gjerë, por me sa e shoh nuk e ka atë bazë”.

“E kam kaluar këtë përvojë, s’ia dëshiroj asnjë qeverie të ketë aq pak numra, të varet nga grupe të caktuara. S’është lehtë. I duhet qeverisje më e gjerë, por me sa e shoh nuk e ka atë bazë. Ka ardhur koha të dorëzoj detyrën, por unë vazhdoj të mbaj përgjegjësi shtetëror, të përballem me problemet që ka vendi. Jam i interesuar të shoh implementimin e rezultatit të zgjedhjeve”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kryetari i VV-së, Albin Kurti, që fitoi në zgjedhje, “mbetet mashtrues në kuptimin që ka ndërruar qëndrime”.

“Po flasim për mallrat e Serbisë nga Kurti që mërdhihej vetë me fëmijët e Kosovës duke protestuar, kam protestuar edhe unë me ta, e tash ka ardhur në pozitë të thotë e heq taksën. Këto për mua janë mashtrime. Sido që të jetë edhe pse kemi dyshime se do të jetë i qëndrueshëm, shpresojmë të udhëheqë mirë e kur të ketë mirë ne do të jemi aty, por kur do ta ketë keq nuk do të jemi për”, ka thënë ai më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat