Ky është dokumenti për ndërtimin e stadiumit në Bërnicë, kush e mori vendimin

Aktuale

Ky është dokumenti për ndërtimin e stadiumit në Bërnicë, kush e mori vendimin

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 11:57
Ilustrim

Ditëve të fundit është nxitur një debat rreth vendit se ku do të ndërtohet një stadium i ri kombëtar. Kjo pasi që dy partitë të cilat pritet të marrin pushtetin, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, dëshirojnë që ky stadium të ndërtohet në Bernicë të Prishtinës dhe jo në Korreticë të Drenasit siç kishte vendosur ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit nga radhët e PDK’së, Kujtim Gashi, dhe Kadri Veseli si shef i koalicionit PAN.

Por kush e kishte marrë vendimin që një stadium i ri kombëtar të ndërtohet në Bernicë të Prishtinës?

Një vendim i tillë ishte marrë nga Hashim Thaçi më 18 mars të vitit 2014, i cili atë kohë ishte kryeministër i Republikës së Kosovës.

“Të nisin procedurat për përfshirjen në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të projektit për ndërtimin e një Stadiumi Kombëtar të ri dhe modern në pajtim me standardet ndërkombëtare, i cili do të ndërtohet në Prishtinë me kapacitet nga njëzetepesë mijë deri në tridhjetë mijë ulëse”, thuhet në pikën e parë të vendimit që mbanë firmën e Hashim Thaçit.

Thaçi atë botë si kryeministër kishte urdhëruar që një vendim i tillë të hyjë në fuqi menjëherë.

Megjithatë pas ardhjes së koalicioni PAN në pushtet, lokacioni i ndërtimit të stadiumit ishte ndryshuar. Një gjë të tillë e kishte bërë ministri Kujtim Gashi bashkë me Kadri Veselin, të cilët madje edhe kishin prezantuar një projekt se si do të dukej ai stadium.

”Stadiumi Kombëtar i Kosovës nuk është më një ëndërr. Sot e prezantuam projektin e tij, e së shpejti fillojmë edhe ndërtimin. Ky projekt i jashtëzakonshëm, më i bukuri në Ballkan, tregon se shteti i Kosovës po ecë përpara, po ndërton të ardhmen. Kombëtarja e Kosovës, me suksesin e saj, me punën e jashtëzakonshme dhe ekipore, është shembull se bashkë realizojmë qëllimet tona. Përgëzoj ministrin Kujtim Gashi për përkushtimin e madh që ky projekt të jetësohet. E gëzofshim arenën e dardanëve!” kishte thënë Veseli më 14 qershor derisa po prezantohej projekti për ndërtimin e stadiumit në Drenas.

E kur tashmë po pritet ndërrimi i pushtetit, LDK dhe VV dëshirojnë që lokacioni i ndërtimit të stadiumit të mbetet ai për të cilin kishte vendosur edhe Hashim Thaçi, Bernica e Prishtinë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat