Mahmuti ua kujton mjekëve që kryen autopsinë e Deharit, betimin e Hipokratit

Aktuale

Mahmuti ua kujton mjekëve që kryen autopsinë e Deharit, betimin e Hipokratit

Nga: A.J Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 12:58
Bardhyl Mahmuti

Publicisti Bardhyl Mahmuti iu është kundërpërgjigjur mjekut që ka kryer raportin e autopsisë për rastin e Astrit Deharit, duke i kujtuar të njëjtit edhe betimin e Hipokratit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Mahmuti derisa e ka cituar një deklaratë të mjekut Flamur Blakaj ku ky i fundit thotë se mjeku ligjor nuk del me deklarata, ka shkruar se pohimet e tilla janë të paqëndrueshme.

“Të gjithë ata që kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e mia rreth kësaj teme e dinë sesa të paqëndrueshme janë pohimet e tilla.

Nesër do ta publikoj pjesën e parë të shkrimit “Betimi i Hipokratit dhe fytyra e hipokritit”, ku do të trajtohet përgjegjësia e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit”, thuhet në këtë shkrim.

Tutje, Mahmuti ka thënë se faktet që ka publikuar në disa shkrime deri më tani duhet të dihen që të ndriçohet rasti i Astrit Deharit.

“Faktet që kanë përmbajtur shkrimet e publikuara deri tani, lidhur me këtë temë, i kam konsideruar si të rëndësishme dhe që duhet t’i dijë çdo njeri që është i interesuar të ndriçohet rasti “Astrit Dehari” dhe që nuk ka pasur mundësi të njihet me raportin e ekspertizën zvicerane në gjuhën frënge . Prandaj në publikimet e mia kam shënjuar (bërë TAG) një numër miqsh të Facebookut, për të cilët kam menduar se mund t’u interesojë kjo temë. Meqenëse në shkrimet që do të vijojnë shpreh edhe mendimet e mia lidhur me përgjegjësitë që bien mbi ata që u përpoqën të fshehin krimin më të rëndë që nga çlirimi i Kosovës, nuk do të shënjoj (bëj TAG) asnjërin, që të mos ndihen keq për shkak të raporteve profesionale, miqësore apo politike që kanë me njerëzit që do të apostrofohen në këto shkrime. Çdo njëri është i lirë ta lexojë, ta shpërndajë apo të mos i hedh syrin fare”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat