Berisha: Ftesa ndaj Veselit politike – Specialja të dërgohet në Kushtetuese

Aktuale

Berisha: Ftesa ndaj Veselit politike – Specialja të dërgohet në Kushtetuese

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 09:18
Hysen Berisha

Hysen Berisha, komandanti i njohur i luftës së Kosharës, njëherësh epror i lartë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ftesën e Gjykatës Speciale dërguar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, po e vlerëson politike dhe komprometuese.

Berisha që në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidat për deputet në radhët e PDK-së, në një intervistë thotë se Gjykata Speciale e ftoi Kadri Veselin në një moment kritik për vendin, megjithatë siguron se ai por edhe të gjithë të tjerët të ftuar do t’i përgjigjen drejtësisë në çdo rrethanë.

Ish-komandanti i Koshares të gjitha supozimet e Gjykatës Speciale po i konsideron si dosje të përgatitura në Beograd, por edhe argatë të tyre në Kosovë.

Beson se drejtësia do të nxjerr në pah të vërtetën.“Është thirr personi që ka udhëhequr shërbimin inteligjent në luftë, deri në vitin 2008 kur është krijuar tereni politik për ta shpallur pavarësinë. Personi që me deklarimet e tij të deri sotme asnjëherë nuk e ka drejtuar gishtin ndaj dikujt me gjuhë armiqësore, ose që ka prodhuar konflikt. Pra është munduar ta ruajë unitetin në emër të një kauze më të madhe që është shteti i Kosovës. Dhe tendenca për t’i identifikuar me vepra të supozuara dhe dosje të përgatitura në Beograd, apo me argatë të tyre nëpër Kosovë nuk është e ndershme”.

“Unë kam besim që drejtësia do t’i nxjerr në shesh, ata që kanë përgjegjësi individuale do t’i mbajnë ato, ata që kanë kryer vepra të faktuara le të përballen me pasojat e tyre, por nuk është e ndershme të etiketohet një lëvizje siç ka qenë UÇK-ja dhe lufta”, thotë ai.

Hyseni kërkon që të rishqyrtohet statusi i kësaj gjykate, pasi që konsideron se zhbërja është e pamundur.Jep edhe një ide që ligjshmëria e kësaj Gjykate të vërtetohet edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Prandaj unë mendoj se me konstituimin e institucioneve duhet të rishqyrtohet statusi i kësaj gjykate, të cilën vet e kemi krijuar dhe vet kemi drejt ta rishqyrtojmë. Bile duhet të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, që të shihet se sa është në harmoni me normat kushtetuese që e rregullojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë në vendin tonë”.

“Zhbërja e disa mekanizmave që i kemi krijuar me kohën dhe që e kanë pasur mbështetjen dhe insistimin ndërkombëtar, nuk është edhe ai i lehtë, sepse bie ndesh me politikat që i ke harmonizuar me partnerët tanë. Por rishikimi i pozicionit dhe statusit të tyre juridik është i mundshëm, vetëm duhet të ekzistojë vullneti. Unë mendoj që kjo duhet të ndodh në të ardhmen”, thotë ai.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat