Kurti tha se s’bisedojnë për postin e presidentit – Vjen reagimi i nënkryetarit të LDK-së

Aktuale

Kurti tha se s’bisedojnë për postin e presidentit – Vjen reagimi i nënkryetarit të LDK-së

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 16:00
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Gjatë ditës së sotme kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, përsëriti edhe një herë se në takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) temë e diskutimit mund të jetë gjithçka tjetër, pos çështja e presidentit.

Por, partia e dytë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, LDK-ja, po e kundërshton një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka nevojë për kushtëzime për negociatat që mund ta ndodhin në mes dy liderëve të dy partive.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, në një prononcim tha se askush nuk duhet të vendos për kushte në takimet që do të mbahen në mes LDK-së dhe VV-së.

“Nuk ka nevojë askush kurrkujt me i qitë kushte, bisedat janë pa kushte, bisedohet për kushte, pse me pas kushte”, tha ai.

Rugova tha se niveli i lartë politik i dy partive duhet të diskutojnë çështjet madhore, ku në to pjesë e diskutimit duhet të jetë presidenti.

“Mendoj se niveli politik duhet të diskutoj çështjen e presidentit pse jo, unë e di çështjet teknike edhe në çështje tjera niveli politik kur kalon në nivel të partisë aty bashkë me liderët e partisë bisedohet dhe marrëveshjet politike në Kosovë gjithherë kanë qenë edhe presidenti në marrëveshje”, tha Rugova.

 “Nuk jemi në koalicion ne ende, koalicioni është duke u ndërtuar, mendoj se kryeministri veç se është i përcaktuar për një arsye, kjo marrëveshje ka ekzistu edhe para zgjedhjeve dhe tani po diskutohet çështjet tjera, postet tjera, programet, këto janë çështje të diskutimit në të ardhmen dhe këto nuk ndalen edhe pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Rugova tha se krerët e partive duhet të diskutojnë për të gjitha postet, ku në to hyjnë kryeparlamentari, presidenti e kryeministri. Ai shtoi se çështja e presidentit nuk mund të mbetet pikëpyetje kur ky post ka mandat 4-vjeçar, ndërsa presidentit aktual i ka mbetur edhe 1 vit e gjysmë mandat.

“Duhet të diskutohet dhe duhet të qiten në tavolinë të diskutimit, ndoshta mund të jetë edhe e kundërta, por nuk mund të diskutohet pa u qit në tavolinë kryeparlamentari, presidenti dhe kryeministri, bisedat pse të kufizohen në atë nivel, këto mund të jetë pjesë e marrëveshjes”, tha ai.

“Pushteti mendohet të jetë 4 vjeçar dhe duhet të dihet se çfarë do të ndodh me presidentin pas 1-2 vjetësh”, shtoi Rugova.

Rugova nuk komentoi për takimin e radhës në mes liderëve të dy partive duke thënë se nuk ka informatë se kur do të ndodh ky takim edhe pse sot u raportua se takimi mes dy liderëve pritet të ndodh nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat