KQZ: Procesi i rinumërimit mund të përmbyllet të dielën

Aktuale

KQZ: Procesi i rinumërimit mund të përmbyllet të dielën

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 16:14
Ilustrim

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve mund të përfundojë më herët se sa që ishte pritur.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se i gjithë procesi ishte planifikuar të përfundojë të hënën e ardhshme, por në bazë të dinamikës së deritanishme, ky proces pritet të përfundojë një ditë më herët.

“Besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces. Sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i. Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën”, tha Elezi.

Ndryshe, procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat