Vetëvendosje “dorëzohet” për Ministrinë e Drejtësisë

Aktuale

Vetëvendosje “dorëzohet” për Ministrinë e Drejtësisë

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 12:47
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje përkundër që kishte kërkesë kryesore që gjatë qeverisjes së tyre ta kenë nën drejtim Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë, një gjë e tillë duket se do të jetë vështirë e realizueshme.

Burime të medias, të afërta me dy partitë që po tentojnë të arrijnë koalicionin qeverisës- VV- LDK, kanë bërë të ditur se Ministrinë e Drejtësisë sipas të gjitha gjasave do ta marrë LDK.

“Përpos faktit që LDK po e kundërshton kërkesën e Vetëvendosjes që kjo parti t’i ketë edhe Ministrinë e Brendshme dhe atë të Drejtësisë, edhe ndërkombëtarët janë kundër. Ndërkombëtarët nuk po duan që Ministrinë e Drejtësisë t’ia lënë Vetëvendosjes për dy arsye kryesore. Së pari, për shkak të shumë rasteve që kanë të hapura aktivistë të Vetëvendosjes nëpër gjykata, dhe së dyti edhe për shkak të qëndrimit që kishte Vetëvendosje kundër Gjykatës Speciale”, tha ky burim.

Në anën tjetër, as nga Lidhja Demokratike e Kosovës e as nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dashur të flasin për këtë temë.

Madje, edhe zyrtarisht drejtuesit e të dy partive në disa prononcime publike kanë theksuar se nuk kanë disktuar ende për poste ministrore.

Sidoqoftë, nga LDK po inisistojnë se ata përpos postit të kryetarit të Kuvendit, e duan edhe postin e presidentit për kryetarin e partisë, Isa Mustafa.

Por nga Vetëvendosje po e kundërshtojnë që në “pazar” të futet posti i presidentit.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se ende nuk është koha të bisedohet për pozitën e presidentit.

Ai në Interaktiv ka thënë se bashkë me LDK-në do të kenë kohë të mjaftueshme të bisedojnë për këtë pozitë.

“Nga LDK nuk kemi marrë këso lloj kërkese për pozitën e presidentit. Nuk e di nesër a do të ngritët si çështje apo jo. Nesër do të bisedojnë për zgjedhjet e 6 tetorit. Mendoj që nuk është koha të bisedohet për këtë post. Bashkëpunimi i partnerëve do të jetë i vazhdueshëm, ne do të diskutojmë në vazhdimësi”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sot pritet që të ketë edhe një takim ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, ku do të qartësohen shumë gjëra edhe për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat