Koalicioni me Vetëvendosjen tashmë ka ndodhur! E zbulon Haziri

Aktuale

Koalicioni me Vetëvendosjen tashmë ka ndodhur! E zbulon Haziri

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 16:06
Lutfi Haziri

Marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje tashmë ka ndodhur, ka thënë sot nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Në një intervistë të shkurtër , Haziri u shpreh se nuk ekziston asnjë ngërç në lidhje me krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet LDK-së dhe VV-së. 

Ai ka thënë se pritjet e rivalëve politik “janë joreale” dhe ka deklaruar se “parimisht koalicioni LDK-VV ka ndodhur”.

“Nuk ka asnjë lloj ngërçi sa i përket krijimit të një koalicioni ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ju siguroj se politikat sektoriale dhe programin qeverisës e kemi përafruar jashtëzakonisht shumë deri në pajtueshmëri. E gjithë ajo që këto ditë më shumë po flitet, është se nga kampet rivale politike ekzistojnë pritje joreale sepse ai [koalicioni] ka ndodhë”, ka thënë Haziri.

Ndonëse gjatë dy javëve të fundit bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë qenë të pakta, nënkryetari i Lidhjes Demokratike ka thënë se takimet do të zhvillohen siç janë paraparë me kalendar.

“Takimet tona janë duke u zhvilluar sipas kalendarit dhe asnjë lloj vonese nuk ka. Vonesa e vetme është shkaku i rinumërimit të votave nga KQZ”, është shprehur Haziri.

Dy partitë opozitare nga legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet.

Bazuar në rezultatet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, është subjekti politik që duhet t’i iniciojë bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat