Priten protesta më radikale kundër vendimit për rritjen e sigurimit të veturave

Aktuale

Priten protesta më radikale kundër vendimit për rritjen e sigurimit të veturave

Më: 23 nëntor 2019 Në ora: 18:16
Pamje nga vendi i ngjarjes

Për të dytën ditë me radhë dhjetëra qytetarë janë tubuar para Bankës Qendrore të Kosovës, për protestuar kundër vendimit për rritjen e sigurimit të veturave.

Me pankarta në duar “Kemi rritje të sigurimeve dhe zbritje të rrogave”, “1 rrogë = Sigurim i veturës”, “Falimentimet e juaja, nuk janë obligime të qytetarëve”, “BQK boll e keni Qkrry Kosovën”, u kërkua të shfuqizohet vendimi i BQK-së, si dhe nga kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti të formohet një komision hetimor për të hetuar këtë vendim.

Përfaqësuesi i grupit “SpeedofmaniaKs”, Arlind Ramadani tha se vendimi i BQK-së është skandaloz dhe se kjo e përshkallëzon edhe më shumë situatën ekonomike në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se vendimi i BQK-së është vendim skandaloz dhe i papranueshëm, duke i pasur parasysh që Kosova është shteti më i varfër në Evropë, me ekonominë më të ulët dhe standardin më të lartë të jetesës në rajon. Kurse me standardin të pagesës më të ulët në Evropë dhe më gjerë. Vendimi i tillë për ngritje të sigurimeve të automjeteve në 26 përqind, veçse e përshkallëzon akoma më shumë situatën ekonomike të qytetarëve tonë. Ne konsiderojmë se zyrtarët e BQK-së për qëllime materiale të grupeve të interesit, kanë marrë një vendim të tillë. Në këtë vendim nuk ndihmohet as buxheti i shtetit e as qytetari. Por vetëm grupet e caktuara të interesit”, tha ai.

Duke e kundërshtuar vendimi e BQK-së, Ramadani tha se kanë interferuar kompani të ndryshme të sigurimit.

“Kërkesa jonë është që vendimi i tillë për ngritje të sigurimeve për automjete për 26 përqind, të shfuqizohet dhe të rikthehet vendimi që ka qenë më herët deri para ardhjes së këtij të fundit. Kërkesa jonë është edhe në tek kryeministri në ardhje Albin Kurti, që pas formimit të qeverisë të themelojë një komision hetues që të shikojë gjithë procedurën që është zhvilluar në kuadër të kësaj çështje. Pasi ne besojmë që grupet e interesin kanë interferuar na kuadër të BQK-së”, tha ai.

Ramadani po ashtu theksoi se protestat e ardhshme do të jenë më radikale, nëse nuk tërhiqet ky vendim.

Ndryshe edhe gjatë ditës së djeshme është protestuar për të kundërshtuar këtë vendim.

Vetëm pas reagimit qytetarë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj i ka kërkuar arsye BQK-së për këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat