Veteranët e rrejshëm po i dorëzojnë certifikatat me statusin e veteranit të UÇK-së

Aktuale

Veteranët e rrejshëm po i dorëzojnë certifikatat me statusin e veteranit të UÇK-së

Më: 24 nëntor 2019 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Ata që kanë përfituar pa meritë në emër të luftës, duke marrë statusin e veteranit të UÇK-së, janë duke u hetuar

Nisma e një ish-pjesëtari të UÇK-së në Malishevë, që përfituesit e rrejshëm të këtyre beneficioneve të dorëzojnë certifikatën e veteranit, ka rezultuar e suksesshme. Deri më tash, 13 prej tyre kanë vendosur ta bëjnë këtë.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Faik Zogaj nga Malisheva, ka ndërmarrë një iniciativë për t’i bindur të gjithë veteranët e rrejshëm të UÇK-së t’i dorëzojnë statusin e tyre.

Kësaj nisme, Zogaj thotë se deri më tash i janë përgjigjur pozitivisht 13 persona. Ai pret që ky numër të rritet.

“Janë duke dorëzu Statusin e veteranit nga të gjitha zonat, nga Dukagjinit e Pashtrikut. Mund të themi nga të gjitha zonat dhe nga brenda javës numri ka shkuar në 13 vetë dhe ne sot presim që të paraqiten edhe disa të tjerë dhe besoj deri me 28 nëntor numri do të rritet deri 150 vetë që e dorzojnë statusin e veteranit” tha ai.

Zogaj është i bindur se në fshatin e tij në Mleqan janë 128 veteranë të rrejshëm kurse në tërë Drenicën rreth 2 mijë të tjerë.

‘Secili që e di vetën që nuk është deklaruar si veteran i rrejshëm duhet ta dorzojë statusin e vet”, tha ai për RTK.

Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve, thotë se njerëzit që kanë përfituar rrejshëm nga shtetit duhet të dalin para drejtësisë.

“Unë mendoj se shtetit duhet të veprojë sepse është keqpërdor statusi i veteranit dhe vetë UQK-ja dhe gjykata duhet të nderrmarrë veprim në këtë derjtim dhe të gjithë ata që e kanë keqpërdorë të dalin para gjykates dhe ta marrë denimin e merituar . Ata që kanë apliku për status nuk është dashtë ta bënin këtë ,por ka qenë interesi i tyre materiale dhe benifecioneve ,dha tash e kanë shiku se gjykata po e kryenë punën e vetë dhe nga frika kan fillu me u tërheq nga statusi i veteranit”, tha ai për RTK.

Prokuroria e shtetit ka propozuar që Gjykata të ndalojë përkohësisht shpërndarjen e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, llogaritet se 40 milionë euro janë shpenzuar për këtë kategori. Ndërkohë, dyshohet se rreth 20 mijë persona janë përfshirë jashtëligjshëm në listën e veteranëve të UÇK-së. Me anë të aktakuzës, Prokuroria ka hequr nga lista e veteranëve të rrejshëm 738 emra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat