Çështjen e personave të zhdukur e mban peng politika

Aktuale

Çështjen e personave të zhdukur e mban peng politika

Më: 24 nëntor 2019 Në ora: 23:53
Personat e Zhdukur

Njëzet vjet nga mbarimi i luftës së viteve 98-99 në Kosovë, numri i të zhdukurve vazhdon të jetë i lartë. Sipas të dhënave në Komisionin qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 643 personave.

Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj, i kërkoi Serbisë t’i japë informacionet që ka për të zhdukurit gjatë luftës së viteve 98-99.

“Çështjen e personave të zhdukur e mbajnë peng edhe çështjet politike. Ne në Kosovë mendojmë se Serbia, ka të dhëna dhe informata të sakta, për vendndodhjen e varrezave masive. Ndoshta për raste individuale dhe të veçanta jo, por për të gjitha vrasjet masive ka të dhëna sepse është punuar me sistem dhe me program”, tha ai.

Koordinatorja për Kosovën në komisionin qeveritar serb për të zhdukurit, Vesna Boshkoviq tha për Zërin e Amerikës se po bëjnë gjithçka që është e mundur për të ofruar informacione, megjithëse e pranon se duhet bërë më shumë.

“Ekziston mundësia dhe mekanizmi i bashkëpunimit, sepse ne e shohim këtë si një çështje humanitare dhe kurrsesi politike. Gjatë tërë këtyre viteve, të gjitha akuzat bëhen në adresë të Serbisë, që duhet të hapë arkivat e policisë dhe ushtrisë. Që nga viti 2005 kur ekziston grupi punues, ne i kemi dorëzuar Prishtinës përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, më shumë se 2 mijë e 500 dokumente që kanë të bëjnë me varrezat, me harta e skica që mund të ndihmojnë. Në bazë të atyre dokumenteve, shumë vende janë zhvarrosur dhe janë gjetur shumë trupa. Natyrisht gjithmonë mund të bëhet më shumë dhe pajtohemi se nuk janë hapur të gjitha arkivat. Por, jemi në rrugë të mirë dhe vetëm duhet më shumë vullnet nga të dyja palët”, tha Vesna Boshkoviq nga Komisioni i të zhdukurve në Serbi.

Numri i personave të zhdukur është 1 mijë e 643 persona. Gjetaj tha se numri i madh tregon se nuk është bërë mjaftueshëm për zbulimin e rasteve. Prandaj kërkon angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar.

“Duhet një presion i madh nga bashkësia ndërkombëtare, ta detyrojë Serbinë që së pari të tregojë për vendndodhjen e të gjithë atyre të cilët mungojnë dhe pastaj për hapa të mëtutjeshëm. Sepse s’mund të kalohet mbi këtë dhimbje, mbi këtë ankth. As institucionet as ne si shoqëri nuk mund të bëjmë llogari dhe hesape si thotë populli në kurriz dhe në dhembjen e të tjerëve”, tha zoti Gjetaj për Zërin e Amerikës.

Këto komente u bënë gjatë vizitës së përfaqësuesve të vendeve të ish Jugosllavisë në ShBA, program ky i financuar nga departamenti amerikan i shtetit.

Përvoja e marrë këtu i ndihmon vendet e Ballkanit Perëndimor të mësojnë nga praktikat amerikane, për mënyrat e reja të zbulimit të varrezave masive dhe identifikimin e personave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat