Qytetarët e Kosovës po vdesin nga ndotja e ajrit

Aktuale

Qytetarët e Kosovës po vdesin nga ndotja e ajrit

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 09:27
Ilustrim

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se ndotja e ajrit në Kosovë shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 raste të pranuara në spital dhe 11.900 vizita emergjente në çdo vit. E ata që rrezikohen më së shumti nga kjo ndotje janë fëmijët, të cilët ballafaqohen edhe me probleme të shumta shëndetësore.

Hulumtuesja në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), Bukurezë Surdulli, ka thënë se Kosova nuk ka zhvilluar ndonjë strategji për ta përmirësuar teknologjinë për përmirësimin e ajrit në Kosovë.

Sipas saj, në vend mungon edhe vetëdijesimi i qytetarëve për sëmundjet e shkaktuara nga ndotja, si dhe parandalimi e trajtimi i tyre.

“Nuk ka ndonjë fushatë vetëdijesimi se si teknologjia mund të kontribuojë në mbrojtjen e ajrit dhe të shëndetit njëkohësisht, ndërkohë që investimi i Qeverisë në këtë segment është i fundit në vijat buxhetore. Deri më tani institucionet në Kosovë nuk kanë krijuar ndonjë fushatë vetëdijesimi për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve nga ndotja e ajrit. I vetmi institucion në vend që ka bërë thirrje në mënyrë periodike për vetëdijesimin e qytetarëve në mbrojtjen e ambientit është Instituti i Shëndetësisë Publike”, është shprehur ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat