Abdixhiku: Një 28 nëntor i zi për shqiptarët, një tragjedi e madhe

Aktuale

Abdixhiku: Një 28 nëntor i zi për shqiptarët, një tragjedi e madhe

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 20:18
Lumir Abdixhiku

Deputeti i sapozgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një deklarate publike në Facebook, ka shprehur dhimbjen për ngjarjen e ndodhur ditën e martë, në Shqipëri, ku nga një tërmet prej 6.4 shkallësh, ngelën 21 persona të vdekur dhe qindra të plagosur.

Ai, ka thënë se përtej dhimbjes së thellë, tragjeditë si këto i japin kuptim njerëzores.

Postimi plotë:

Një ditë e rëndë, një tragjedi e madhe, me humbje jetësh, me të lënduar rëndë, e të tjerë plot në frikë për natën e radhës.

Por përtej dhimbjes së thellë, tragjeditë si këto i japin kuptim njerëzores. Anës më të mirë të njerëzores. Ajo gjyshja që me trupin e vet mbulon dhe shpëton një fëmijë 7 vjeçar nën gërmadha, i jep kuptim univerzal sakrificës. I jep kuptim vet jetës.

Mijëra vullnetarë që rrezikojnë veten në kërkim të të mbijetuarve i japin kuptim përpjekjes. Kjo përpjekje bëhet e plotë kur kundrejt të gjitha gjasave nxjerren familjarë të gjallë.

Kolonat e mëngjesit të hershëm, të ushtrisë së Kosovës, policisë sonë, e të gjitha iniciativat tjera individuale i japin kuptim shqiptares. Me aq sa kemi, por me gjithçka. Familja të vjen në ndihmë e para.

Miq e aleat që të dalin në krah në ditën më të vështirë të vitit, i japin kuptim solidaritetit. Sot kalohet secili dallim.

Një 28 nëntor i zi për shqiptarët. Por një 28 nëntor që na gjenë më afër mes vete dhe me jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat