Minxhozi: FSK do të menaxhojë ndihmat nga Kosova për Shqipërinë

Aktuale

Minxhozi: FSK do të menaxhojë ndihmat nga Kosova për Shqipërinë

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 14:47
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi

Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë hapi sot librin e ngushëllimeve në shenjë nderimi dhe solidariteti për viktimat nga tërmeti i djeshëm në Shqipëri.

Deri më tani kanë nënshkruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, falënderoi të gjithë për solidaritetin e treguar nga ana e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Ambasadori konfirmoi se është marrë vendim që Forcat e Sigurisë së Kosovës të jenë institucioni kryesor që do të merret me menaxhimin e të gjitha ndihmave që do të drejtohen nga Kosova për në Shqipëri.

Minxhozi: FSK do të menaxhojë e vetme ndihmat nga Kosova për Shqipëri

“Për të rakorduar sa më mirë dërgimin e ndihmave në Shqipëri në konsultë edhe me kryeministrin Haradinaj në orët e paradites, është rënë dakord që Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë institucioni kryesor që do të merret me menaxhimin e të gjitha ndihmave qe do të drejtohen nga Kosova për në Shqipëri. Kjo do të thotë që do të krijohet një qendër te kazerma ushtarake ‘Skënderbeu’ në Prizren, ku ne do t’i drejtojmë të gjitha ndihmat e institucioneve, komunave, të personave të veçantë për t’i grumbulluar aty dhe më pas për t’i drejtuar drejt territorit të Shqipërisë”, tha Minxhozi.

Minxhozi deklaroi se taksa në kufi është hequr për njerëzit të cilët ofrojnë ndihma në Shqipëri.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe tha se kanë krijuar shtabe të emergjencës që t’i orientojnë ne mënyrë sa më efikase ndihmat eVV-së por edhe të gjithë qytetarëve.

Ai falënderoi dhe inkurajoi pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët pa pushim po punojnë për t’i nxjerrë të gjallë njerëzit të cilët kanë ngelë nën gërmadha.

Kurti: Tërmeti tronditi gjithë popullin tonë e jo vetëm zonën e Durrësit

“Sot në ditën e Ushtrisë së Kosovës, dua te falënderoj dhe inkurajoj, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët me punën e tyre të palodhshme, me dijen dhe me përvojën e tyre, pa pushim po punojnë për t’i nxjerrë të gjallë njerëzit të cilët kanë ngelë nën gërmadha, pas tërmetit i cili e tronditi gjithë popullin tonë e jo vetëm zonën e Durrësit. Ekipet e kërkim shpëtimit urban të FSK-së pra ekipi K9, i cili është me qenë të trajnuar në operacionet e kërkim shpëtimit, pastaj ekipi i komunikimit, ekipi i mjekësisë dhe policia ushtarake, po bëjnë gjithçka qe është e mundur që edhe t’i çlirojnë njerëzit nga gërmadhat por edhe mbarë kombin tonë nga ankthi për fatin e atyre shqiptarëve të cilët kanë me tonelata e tonelata beton mbi kokat e trupat e tyre”, tha Kurti.

Pas nënshkrimit në librin e zisë, Kurti pati edhe një takim me ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi dhe komandantin e FSK-së, Rahman Rama në ambientet e Ambsadës së Shqipërisë.

Pas takimit, Minxhozi tha se kanë biseduar për ndihmat e Kosovës që do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti ne Shqipëri.

Ndryshe, libri i ngushëllimeve për viktimat e tërmetit në Shqipëri u hap sot në orën 12 dhe do të jetë i hapur edhe nesër në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat