Albin Kurti nënshkruhet tek Libri i Zisë për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Aktuale

Albin Kurti nënshkruhet tek Libri i Zisë për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 15:48
Albin Kurti dhe delegacioni nga Vet

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nëpërmjet një postimi ka deklaruar se është nënshkruar në Librin e Zisë për viktimat e tragjedisë që ndodhi në Shqipëri, ku qyteti i Durrësit dhe Tiranës u përfshi nga një tërmet prej 6.4 shkallësh të Rihterit.

Kurti, ndër të tjera, tha se ekipet e Kërkim Shpëtimit të FSK-së, po bëjnë gjithçka që është e mundur që t’i çlirojnë njerëzit nga gërmadhat.

Postimi plotë:

Pasi që shkrova në Librin e Zisë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë pata takim me ambasadorin e Shqipërisë z. Qemal Minxhozi. Isha së bashku me gjeneralin Rexhep Selimi e më pas na u bashkua edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Rrahman Rrama.

Në ditën e Ushtrisë së Kosovës, dua të falënderoj dhe të inkurajoj pjesëtarët e FSK-së, të cilët me angazhimin e tyre të palodhshëm, me dijen dhe përvojen e tyre, pa pushim po punojnë për t'i nxjerrur njerëzit të cilët kanë ngelur nën gërmadha pas tërmetit i cili e tronditi gjithë popullin tonë e jo vetëm zonën e Durrësit.

Ekipet e Kërkim-Shpëtimit Urban të FSK-së, Ekipi K-9 me qentë e trajnuar për këso operacionesh, Ekipi i Komunikimit, Ekipi i Mjekësisë dhe Policia Ushtarake po bëjnë gjithçka që është e mundur që t'i çlirojnë njerëzit nga gërmadhat, por edhe mbarë kombin tonë nga ankthi për fatin e atyre shqiptarëve të cilët kanë me tonelata e tonelata beton mbi kokat e trupat e tyre.

Me këtë rast i shpreh edhe njëherë ngushëllime familjeve të viktimave. Si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi krijuar Shtab të Emergjencës që t'i orientojmë në mënyrë sa më efikase të gjitha ndihmat. Anëtarët e aktivistët tanë tashmë janë shndërruar në vullnetarë për ta tejkaluar bashkë këtë fatkeqësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat