Sipas Kelmendit mosmarrëveshja për postin e Presidentit rrezikon që mandati i qeverisë të përfundojë para kohe

Aktuale

Sipas Kelmendit mosmarrëveshja për postin e Presidentit rrezikon që mandati i qeverisë të përfundojë para kohe

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 00:19
Adriatik Kelmendi

Gazetari dhe opinionisti Adriatik Kelmendi ishte i ftuar në Interaktiv të KTV-së ku foli rreth koalicionit të mundshëm qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Ai thotë se sot u pa se nuk janë pajtuar për të gjitha çështjet, e takimi i sotëm ndërmjet Kurtit dhe Mustafës do të duhej të ishte formalitet nëse do të kishte marrëveshje paraprake.

“Ende dua të shpresoj se ajo çfarë na ka entuziazmuar të gjithëve se të dyja ekipet e partive janë duke biseduar për program. Të dyja partitë duhet ta lexojnë qartë rezultatin e zgjedhjeve. E para që VV s’ka fituar bindshëm e LDK-ja që s’ka fituar zgjedhjet e kjo është shumë e rëndësishme. Na thanë se për të gjitha janë marrë vesh, por kur folën për postet e pamë se nuk pat rezultate”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi thotë se në rast se nuk pajtohen për çështjen e presidentit atëherë qeveria e ardhshme mund të përfundojë mandatin para kohe.

“Gjithmonë në formën se si zgjedhet presidenti në Kosovë atëherë duhet të ketë marrëveshje paraprake për atë pozitë. Ajo që më brengos mua është se nëse tash ka ngurtësi për të biseduar për tema dhe të arrihet marrëveshje çoftë parimore sepse kjo na frikëson se kur të vijë koha s’mund të merren vesh për atë çështje”, tha Kelmendi.

Sipas tij ato duhet të dakordohen se si do t’i qasen kësaj çështje.

“Për shkak të ngurtësisë që po tregohet që të diskutohet tash lë hapësirë që të rrezikojmë sërish që të shohim që mandati të përfundojë në gjysmë. Sikur këto të pajtohen se do të ketë votim për presidentin konsensual atëherë askush s’mund ta garantojë. Këto të dyja duhet ta dinë se cila është fuqia e tyre reale në Kuvendin e ardhshëm”, u shpreh ai.

Sipas Kelmendit ka paqartësi se çfarë është diskutuar sot në takimin ndërmjet Kurti e Mustafës.

“Ka prej atyre që kanë thënë se nuk është arritur fare të diskutohet për ministri, e disa të tjerë se s’kanë arritur të flasin për presidentin. Nëse këto kanë fituar si opozitë dhe që të dyja janë pajtuar gjatë se kushdo që del e para do të ketë mandatarin për Qeverinë. Askush nuk e konteston postin e kryeministrit, por të gjitha të tjerat janë pa epilog e paqartësi. Kurti ka lënë të kuptohet se do të propozojnë një kandidat nga LDK-ja e duket se as kjo nuk është arritur sot. Partitë që kanë marrë kryeministrin kanë qenë më të hapura për të lënë hapësirë për partitë e tjera”, ka thënë Kelmendi.

Sipas Kelmendit i takon Kurtit të gjejë formulën, ndonëse as LDK-ja s’është se ka më pak përgjegjësi.

“Është përgjegjësia e partive politike që të merren vesh por edhe të mos mundohen të përfitojnë nga situata dhe të përbëjnë ekipet e tyre më të mira. Do të ishte zhgënjyese të mos merreshin vesh për ndarjen e posteve. Duhet të kenë kujdes sepse mund të zhgënjejnë qytetarët. Nëse vazhdon kjo që pamë sot, që të mos merren vesh për përgjegjësinë që kanë i bie se këto e paskan lënë në fund po vijmë te pazari, dhe e paskan lënë në fund e jo në fillim siç kanë bërë edhe të tjerat”, ka thënë ai.

Ai thotë se ndoshta sot kanë filluar diskutimet reale për qeverinë.

“Sot do të duhej të ishte vetëm një formalitet ceremonial. Ndoshta sot kanë filluar diskutimet reale për Qeverinë. Ne e pamë se sot nuk kanë pranuar të vinë as në studiot televizive e ndoshta kjo është pozitive. Derisa kanë pasur gjashtë takime thuajse 100 për qind atëherë çfarë ndodhi sot. Besoj shumë se do të kenë kthjelltësinë të dyja partitë e të dinë se sa janë lodhur qytetarët. U takon atyre të formojnë institucionet e Kosovës, pasi qytetarët kanë votur për to edhe para dy vjetësh”, ka thënë ai.

Sipas Kelmendit Kosova ka mbetur shumë jashtë zhvillimeve të Bashkimit Evropian, e shumë çështje që kanë mbetur pezull si liberalizimi e çnjohja e pavarësisë. Këto janë vetëm hapa prapa dhe s’e kemi luksin të shohim teket individuale.

Ai thotë se 15 ministri do të ishin optimale.

“Kam avokuar të jetë 15 numri i Ministrive, nuk më është dukur mjaftueshëm në 12 ministri. Po, 21 kanë qenë tepër, edhe 18 do të kishin shumë. Së paku dy poste ministrore do të jenë për pakicat, pra numri vjen në 10. Për ta komplikuar edhe më tepër është se janë zotuar do të ketë së paku 30 për qind do të udhëhiqen nga gratë. E nga kjo së paku do të jenë 5 ministre, e kanë thënë dhe besoj se duhet ta mbajnë. Por, përtej posteve duhet kuptuar përgjegjësinë që e kanë”, ka thënë ai.

Qeveria e re s’do ta ketë fare lehtë

Gazetari dhe opinionisti, Adriatik Kelmendi, thotë se qeverisja LVV-LDK, nëse arrihet marrëveshja, është një rotacion normal në një shtet demokratik.

“Qytetarët janë ndërgjegjësuar, jo vetëm pse kanë votuar për dy parti që kanë qenë në opozitë. Por, edhe për faktin se nëpër listat e kandidatëve për deputet kanë bërë përzgjedhje. Qytetarët u kanë thënë pushtetarëve se do të ndëshkohen nëse nuk i mbajnë premtimet. Arritja më e madhe është ndërgjegjësimi i lartë qytetar për të dënuar me votë ata që kanë vlerësuar se nuk i meritojnë t’i përfaqësojnë, dhe për këtë arsye edhe fituesit e zgjedhjeve duhet ta shohin këtë fakt”, deklaroi Kelmendi në Interaktiv të KTV-së.

PDK-ja, 12 vjet pas qëndrimit në Qeveri, sipas Kelmendit, është dashur të ishte në opozitë edhe në mandatin e kaluar, sikur të mos bëhej koalicioni PAN.

“Mendoj se PDK-ja ka pasur rritje në krahasim me zgjedhjet e kaluara në numrin e votave dhe të deputetëve. PDK-ja e ka shtyrë me atë koalicionin e orëve të fundit. Është një PDK që e ka vonuar opozitën për vete, por tash e ka merituar sepse ka dalë partia e tretë”, tha Kelmendi.

Sipas tij, koalicioni Nisma-AKR nuk ka pse të jetë në qeverinë e ardhshme, e as asnjëra parti që ka qenë në qeverinë e kaluar për faktin se dy partitë fituese, VV e LDK, qëllimin e kanë pasur të çojnë në opozitë atë koalicion, të njohur si PAN.

“Nuk do të duhej të mendohej se ka nevojë që Nisma-AKR të jetë në qeveri. Dy partitë, LDK e VV, kanë thënë vazhdimisht se dëshirojnë ta çojnë PAN-in në opozitë. Edhe këto partitë tjera, PDK, AAK, Nisma, e më duket se edhe AKR, kanë deklaruar se dëshirojnë të jenë në opozitë. Por, do të ishte mirë që këto parti ta votojnë qeverinë VV-LDK”, theksoi ai.

Kelmendi thotë se qeverinë e re e presin shumë sfida, e ndër to do të jetë edhe marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

“Shumë sfida e presin qeverinë e re. Nuk do të jetë lehtë, sidomos për LVV-në dhe Kurtin, duke qenë gjatë në opozitë. Kanë qenë kritikë ndaj shumë veprimeve të qeverive të mëhershme. Por, ata duhet të merren me ato tema. Do të jetë një qeveri që do të ketë një listë shumë të gjatë të detyrave të reja që e presin, e një ndër to është marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Më 3 nëntor të vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje në SHBA, dhe zoti Trump do të shikojë që edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi ta fus si sukses të qeverisjes së tij. Ka mungesë të vendeve të punës, për çka VV e LDK e kanë kritikuar qeverisjen e kaluar, ka pasur shpenzime të mëdha… Prandaj, s’duhet humbur kohë sepse lista e punëve është shumë e gjatë. Do të doja që brenda kësaj jave të kemi marrëveshje mes VV-së e LDK-së”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat