Kosova e përsërit dështimin në testin PISA – ja në cilin vend doli

Aktuale

Kosova e përsërit dështimin në testin PISA – ja në cilin vend doli

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 09:31
Ilustrim

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë.

 Madje në disa fusha ka edhe regres. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë ka siguruar raportin e rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit nga Kosova performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në  6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare).

KALLXO.com ka publikuar rezultatet, ndërsa sot pritet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë edhe zyrtarisht të bëjë publikimin e këtyre rezultateve

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat