Thaçi i zhgënjyer me BE-në: Shtyrja e projektit për zgjerim është ftesë për rrëmujë të re në Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Thaçi i zhgënjyer me BE-në: Shtyrja e projektit për zgjerim është ftesë për rrëmujë të re në Ballkanin Perëndimor

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 10:27
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në samitin “Ballkani Perëndimor në mes Shpresës dhe Realitetit” që po mbahet në Bruksel, ka thënë se vendimi i Bashkimit Evropian për shtyrje të procesit të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk është rrugëdalje dhe sipas presidentit është ftesë për “një rrëmujë të re” në rajon.

Kreu i shtetit tutje ka thënë se situata aktuale është tepër e ndërlikuar dhe e rrezikshme, dhe siç ka potencuar ai kjo duhet të jetë hera e fundit që Bashkimi Evropian dhe Ballkani gjenden në një situatë të tillë.

Thaçi i ka bërë ftesë BE’së që të jenë më të guximshëm dhe vizionar, në mënyrë që të tregohen se janë partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor.

Shkrimi i plotë i Thaçit:

Në samitin “Ballkani Perëndimor në mes të Shpresës dhe Realitetit”, të organizuar nga Miqtë e Evropës, diskutuam për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë janë në një udhëkryq të madh politik dhe historik.

Nuk është hera e parë që jemi në një situatë të tillë: sfiduese, të ndërlikuar, madje edhe të rrezikshme. Por, do të duhej të ishte hera e fundit!

“Strategjia për zgjerimin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor” vetëm krijoi bindjen se Bashkimi Evropian po i jep shtytje vendimtare synimit të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në familjen evropiane, por të gjitha ngjarjet që pasuan na përgënjeshtruan të gjithë neve.

“Fuqia e butë” e Bashkimit Evropian karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor është në zbehje e sipër. Disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor po ballafaqohen me tendenca të prapakthimit në stabilizimin e demokracisë dhe po shohim rritje të populizmit dhe nacionalizmit. Ballkani është bërë fushëbetejë gjeopolitike dhe në këto rrethana, shtyrja për më vonë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor, rishikimi i gjithë kësaj ndërmarrjeje, nuk është opsion, nuk është zgjidhje, nuk është shtegdalje. Në realitet, ky opsion është ftesë për rrëmujë të re në Ballkanin Perëndimor.

Udhëheqja e re e Bashkimit Evropian duhet të tregojë vizion, guxim dhe lidership, duke u bërë partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat