Abbot: Në Kosovë ka njerëz që kanë vetura dhe rroba të shtrenjta në shpërputhje me pagat

Aktuale

Abbot: Në Kosovë ka njerëz që kanë vetura dhe rroba të shtrenjta në shpërputhje me pagat

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 11:43
Abbot

Sistemi i drejtësisë në Kosovës duhet të hetojë dhe luftojë fenomenin e pastrimit të parasë, ndërsa vendi ballafaqohet me mungesë së konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë jo të ligjshme.

Kështu u tha në punëtorinë e organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, së bashku me Ambasadën Britanike me temën “Pastrimi i parave/riparimi i aseteve”. 

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott derisa ka ofruar mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën për luftimin e kësaj dukurie tha se dënimi i veprës penale të pastrimit të parasë nuk është i plotë pa konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë jo të ligjshme.

Abbott shpreson se kjo punëtori do shërbejë si platformë e mirë për shkëmbimin  e përvojave, sfidave dhe praktikave më të mira në hetimin dhe ndjekjen penale të pastrimit të parasë dhe konfiskimit e pasurisë së fituar jashtëligjshëm.

Ambasadori britanik tha se dukuria e pastrimit të parasë është mjaft prezent edhe në Kosovë prandaj kërkoi nga gjyqtarët dhe prokurorët ta luftojnë këtë dukuri e sidomos të merren seriozisht me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë jo të ligjshme.

  Ai madje tha se në  Kosovë ka njerëz që bëjnë jetë me standard të lartë në shpërputhje me të ardhurat persona, prandaj edhe kërkoi hetimin e tyre.

Abbott: Në Kosovë ka njerëz që bëjnë jetë me standard të lartë në shpërputhje me të ardhurat personale, ju duhet t’i hetoni ata

“Në Kosovë prapë se prapë shohim njerëz që qarkullojnë me vetura dhe rroba të shtrenjta, shohim hotele dhe kafiteri luksoze, shtëpi të bukura dhe mënyrë e të jetuarit në shpërputhje me të ardhurat personale. Këto raste që nuk gjenerohen nga bizneset apo punësimi i rregullt nuk besoj se janë duke u mbështetur as nga mjetet e dërguara nga kushërinjtë jashtë shtetit. Ju jeni ata që duhet t’i hetoni, zbuloni, dënoni dhe shkatërroni skemat e pastrimit të parasë. E nëse nuk konfiskoni pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme puna e bërë nuk është e plotë. Jo vetëm dënimet por edhe konfiskimet varen nga ju, jo nga politikanët e aq më pak nga bashkësia kombëtare”, u shpreh Abbott.

  Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj deklaroi se përmasat e fenomenit të shpëlarjes së parasë është shqetësues , ndaj të cilit as Kosova nuk është e paprekshme.

Madje sipas tij kjo dukuri po shënon rritje në shoqërinë kosovare përkundër që ndjekja nga organet shënuar ka shënuar rritje. 

 Çoçaj: Shoqëria kosovare nuk është imune ndaj pastrimit të parasë 

“Ndaj këtij fenomeni fatkeqësisht në shoqërinë kosovare nuk kemi mbetur imun, përkundrazi trendët e kësaj dukurie kriminale po rriten anë që ndjekja nga organet shtetërore është me ritme të fuqizuara. Për më tepër edhe ne kemi në funksion njësinë e inteligjencës financiare e cila ka rolin që të ndihmoj autoritet nacionale për ndjekjen dhe hetimin e kësaj vepre penale. Duhet theksuar se në rrafshin legjislativ Kosova ka përafruar legjislacionin e saj me raportet e Konventës Ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së që i referohen kësaj fushe, por që padyshim mbetet ende punë dhe përkushtim më i fuqishëm nga të gjithë akterët relevant”, tha ai. 

E kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni ka thënë se Kosova ka sukses ne sekuestrimin e përkohshëm të aseteve por që mungon konfiskimi i pasurisë. Sipas tij sfidë për shtetin e Kosovës dhe veçanërisht për sistemin e drejtësisë  ka mbetur krimi i organizuar dhe korrupsioni. 

Hyseni: Kosova ka sukses në sekuestrimin e përkohshëm të aseteve, por jo edhe në konfiskimin e pasurisë

“Meqenëse Këshilli Prokurorial ka krijuar një mekanizëm ndërinstitucional për të përmbledhur të gjithë akterët e përfshirë duke filluar nga nënshkruesit e këtij mekanizmi vepra penale karakteristike që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, shpëlarjen e parasë...Ne po provojmë që praktikisht të kërkojmë llogaridhënie në ditët në vijim për çështjen e konfiskimit si një prej problemeve më thelbësore që i kemi në sistem. Të gjithë jemi në dijeni që Kosova ka një sukses sa i përket sekuestrimit të përkohshëm të aseteve, kjo është me miliona euro vetëm po na mungon konfiskimi përfundimtar që është objektiv dhe për të cilën kemi organizuar edhe disa takime të përbashkëta”, theksoi Hyseni. 

Nga Britania e Madhe për të shpalosur perspektivën e këtij shteti dhe Bashkimit Evropian në luftimin e krimit të organizuar kishte ardhur gjyqtari, HHJ Michale Hopmeier i cili tha se luftimi i shpëlarjes së parasë dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë jo të ligjshme bëhet përmes ligjeve efikase të cilat zbatohen.

Hompemier i cili është gjykatës në Southwark Crown Court në Britani të Madhe u shpreh se bashkëpunimi rajonal është tejet i rëndësishëm për luftimin e këtij fenomeni.

Hopmeier: Bashkëpunimi rajonal i rëndësishëm për luftimin e këtij fenomeni 

Video  “Ka një shkallë të bashkëpunimit të konsiderueshme në këtë fushë dhe bashkëpunimi në këtë fushë është aq i rëndësishëm sepse krimi i organizuar në Kosovë nëse ka persona të tillë dhe mua më është thënë se ka të tillë, nuk i lënë ato fitimet e tij nga veprimtaria e tij kriminale nuk i lënë në bankat e Kosovës...Por i dërgojnë në vendet tjera shtetet tjera prandaj shtetet duhet të bashkëpunoj me njëra tjetrën në kuptim të hetimeve për të gjetur të gjitha ato asete në mënyrë që ato t’i rikthehen”, theksoi gjyqtari britanez.  Në punëtorinë  ku po diskutohet për pastrimin e parave dhe riparimin e  aseteve pjesëmarrës ishin prokurorë e gjykatës nga vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat