Këta janë “pisat” shkaktarë për gjendjen e arsimit në Kosovë

Aktuale

Këta janë “pisat” shkaktarë për gjendjen e arsimit në Kosovë

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Njëherë në vitin 2015 e njëherë në vitin 2018. Në të dyja rastet u vërtetua edhe ndërkombëtarisht ajo që ne të gjithë e dimë. Gjendja e mjerueshme e arsimit në Kosovë.

Kjo u vërtetua nga arritjet që shteti kosovar pati në testin ndërkombëtar të PISA-s, ku u radhit ndër vendet me rezultatet me të dobëta në botë.

Në fakt në publikimin e rezultateve që u bë të hënën, Kosova doli e treta nga fundit, duke lënë pas vetës vetëm Filipinet e Republikën Domenikane që ishin më keq.

Ministri aktual i Arsimit në detyrë, Shyqiri Bytyqi, nuk e pranon se i gjithë faji për mossukses në këtë test bie tek ai.

“Ne kemi thënë se presim rezultate më të mira, janë disa rezultate më të mira, por nuk janë ato që kemi pritur. Tani se kush është përgjegjës duhet të flasim në tërësi, më së paku jemi ne se kemi pasur tre muaj kohë. Ne duhet ta shikojmë sistemin arsimor. Ministritë mund të bëjnë politika të mira. Nuk mund të bëhen për tre muaj për të përmirësuar shkathtësitë e nxënësve. Për tre muaj ne jemi marrë me çështje teknike. Në 2018 ne i kemi bërë përgatitjet e mira teknike”, tha Shyqiri Bytyqi.

Por, kush është fajtori?

Pavarësisht se faji nuk mund t’i dedikohet vetëm një personi, Ministria e Arsimit është faktori kryesor që ndikon dhe ka përgjegjësi për një sistem funksional të arsimit në vend.

Kjo pasi të gjitha politikat dhe reformat në sistemin arsimore janë nën menaxhimin e këtij dikasteri.

Shumë analistë e ekspertë të arsimit, por edhe vet qytetarët, kanë pasur kritika për punën e dobët që e ka bërë kjo ministri në të mirë të arsimit.

Madje, shpesh është kritikuar jo vetëm për mos-punën, por edhe për keqpërdorimet e punësimet jo të rregullta në baza partiake, klienteliste e nepotiste.

Kush udhëhoqi Ministrinë e Arsimit përgjatë viteve?

Në vitin 2004, këtë ministri e udhëhoqi Rexhep Osmani, që ligjëroi edhe në fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.

Madje, për të ishte raportuar për një përleshje brenda universitetit që kishte ardhur si pasojë e kushtëzimit të notës me favore seksuale që profesori i kishte bërë një studenteje.

Nga viti 2005 e deri në vitin 2007 Ministrinë e Arsimit e udhëhoqi tani nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Në kohën e këtij u hapën me dhjetëra universitete private pa licenca, mungonin investimet, ku shumë nxënës detyroheshin të mësonin edhe në kontejnerë.

Bile, në këtë kohë mësuesit kryenin detyrën me pagë simbolike, prej vetëm 200 euro.

Nga viti 2008 e deri në vitin 2010 arsimin në Kosovë e udhëhoqi tash nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.

Për të, edhe kur u bë Ministër i Punëve të Jashtme, ish-shefi i sektorit ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Andrea Lorenzo Cappusela, kishte kërkuar shkarkimin e tij, për të dëshmuar, siç pati thënë, luftën kundër korrupsionit në shtetin e Kosovës.

Ky i ishte referuar një vendimi të EULEX-it të vitit 2010-2011, i cili kishte të bënte me dyshimet për transferim të jashtëligjshëm të një parcele toke tek një universitet privat, duke dëmtuar kuletën e shtetit me vlerë mes 15 deri në 20 milionë euro, shkruan inFokus.

Megjithatë, Cappusela, kishte nënvizuar se megjithëse Hoxhaj nuk ishte shpallur fajtor për këtë rast, në vendimin e EULEX-it thuhet qartë që Hoxhaj dhe Minsitri i Financave të asaj kohe, kanë qenë të përkushtuar për të realizuar transferimin e asaj prone.

Nga viti 2010 e deri tek viti 2014 dikasterin e arsimit në Qeverinë e Kosovës e udhëhoqi Ramë Buja.

Ky i fundit në skandalin e përgjimeve të njohur si “Pronto”, në kohën kur ishte shef i arsimit, u dëshmua se ndante pozita publike e shtetërore për njerëz të afërm të tij.

Aty, në përgjime, ishte shpërfaqur një përplasje e cila kishte degraduar edhe deri në fyerje në mes të Bujës dhe ish shefit të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci.

Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre për një pozitë shtetërore.

Pas këtyre, për dy vite Ministër i Arsimit ishte Arsim Bajrami i PDK-së, e i fundit Shyqiri Bytyqi i NISMA-s Socialdemokrate, i cili pati dhënë dorëheqje nga kjo parti pak para se të binte nga pushteti qeveria Haradinaj.

Të dy këta, edhe vet e kishin pranuar gjendjen e rëndë të arsimit në vend, e në kohen e të dyve, kjo u bë e ditur edhe ndërkombëtarisht për gjendjen e mjerueshme të arsimit, nga rezultatet e tmerrshme të nxënësve në testin PISA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat