MASHT-i, fajtor për dështimin në PISA

Aktuale

MASHT-i, fajtor për dështimin në PISA

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 08:19
Foto ilustrim

Dështimi i Kosovës në testin ndërkombëtar PISA për të dytën herë radhazi e ka shpërfaqur mospunën e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë në përmirësimin e cilësisë së edukimit.

Kështu vlerësojnë ekspertët e arsimit, të cilët theksojnë se për këto rezultate duhet të thirren në përgjegjësi fajtorët. Për përmirësimin e cilësisë, përveç reformës në arsim, po kërkohet edhe krijimi i një platforme kombëtare arsimore, shkruan Zëri.

Gjatë së martës për të dytën herë Kosova u radhit thuajse e fundit në testin ndërkombëtar të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA).

Nga 79 vende sa kanë qenë në garë Kosova u radhit në vendin e 77-të, duke lënë pas kështu vetëm dy shtete. Të njëjtin rezultat e kishte pasur edhe në testimin e kaluar, që u mbajt më 2015-n, ku kishin marrë pjesë 72 shtete dhe Kosova kishte dalë e 70-ta.

Ndonëse nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë kanë theksuar se ky rezultat ka qenë i befasishëm, për shkak se kanë punuar për përgatitjen e nxënësve dhe përmirësimin e rezultatit, njëjtë nuk mendojnë njohësit e arsimit në vend.

Ata theksojnë se ky rezultat, si ai i para tre vjetëve, ka qenë i pritshëm për shkak se nuk është punuar në përmirësimin e rezultateve në testin e vitit 2018.

Vlerësohet se për përmirësimin e arsimit duhet reformë e tërësishme, si dhe krijimi i një platforme kombëtare të përbashkët nga tërë zinxhiri arsimor. Testi PISA mat aftësitë e nxënësve në lexim, në shkencë dhe në matematikë, në të cilin testohen nxënësit rreth 15-vjeçarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat