Rasti i Sokol Bashotës transferohet në Departamentin e Përgjithshëm nga ai i Krimeve të Rënda

Aktuale

Rasti i Sokol Bashotës transferohet në Departamentin e Përgjithshëm nga ai i Krimeve të Rënda

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 10:38
Sokol Bashota

 Rasti i ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit Enver Berisha, nuk do të gjykohet më në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë.

Pasi Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin Bashota dhe Berisha ishin dënuar me gjashtë muaj burg me kusht dhe njëmijë euro gjobë për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, tani kjo lëndë është transferuar në Departamentin e Përgjithshëm.

Në këtë departament gjykohen rastet penale të cilat nuk cilësohen si krime të rënda.

Transferimin e lëndës në Departamentin e Përgjithshëm për “Betimit për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

“Ju konfirmoj se çështja penale ndaj të pandehurve Sokol Bashota dhe Enver Berisha nga Departamenti për Krime të Rënda ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm Penal”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Zhuti.

Gjykata e Apelit, më 6 nëntor 2019, e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ish-kryetari i Klinës, Sokol Bashota ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë për mos deklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Përveç Bashotës, për mos deklarim të pasurisë ishte dënuar edhe ish-nënkryetari i Klinës, Enver Berisha me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë.

Gjykata e Apelit, ka konsideruar se aktgjykimi i 29 majit 2019, i shpallur nga kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, është marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar në vërtetimin e gabuar dhe  jo të plotë të gjendjes faktike.

Për këtë, shkalla e dytë e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.

Sipas aktvendimit që kishte siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në arsyetimin e Apelit rezulton se Gjykata e Pejës nuk kishte dhënë arsye për çdo pikë të aktgjykimit, nuk ka vërtetuar saktësinë e provave kundërthënëse dhe arsyet në të cilat është bazuar në rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale.

Sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte dhënë përgjigje përkitazi me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Bashota, avokatit Gëzim Kollqaku, i cili kishte pretenduar se banesa kontestuese për të cilin klienti i tij akuzohet se nuk e kishte deklaruar, ishte blerë me kontributin familjar.

“Nuk ka dhënë përgjigje në pretendimet ankimore të mbrojtjes se kur është blerë kjo banesë dhe në emër të kujt ka qenë banesa në fjalë në vitin 1999, me cilat mjete dhe nga kush është blerë konkretisht. Ka kundërthënie te kontrata mbi dhuratën pasi në faqen 7 pasuesi i fundit që ka të bëjë me provat e administruara qëndron e dhëna se kontrata mbi dhuratën e banesës është e datës 30 gusht 2016, e që si e tillë është e pakuptim që të ketë numër rendor të vitit 2006, e ndërsa është e vërtetuar në vitin 2016. Kush ka jetuar nga familjarët e të akuzuarit Sokol dhe ku ka jetuar i akuzuari gjatë periudhës me qira”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndër të tjera, Apeli ka konstatuar se Gjykata Themelore e Pejës kishte arsyetuar vetëm provën, e cila vërteton pagesën për energji elektrike, ujësjellësin dhe pastrimin, në të cilin kishte qenë i pandehuri Bashota konsumator, mirëpo sipas Apelit, nuk janë dhënë arsyet lidhur me vërtetimin e pronësisë në raport me deklarimet e prejardhjes së pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Kurse, Apeli në lidhje me mos deklarimin e veturës të tipit “BMW”, thekson se raporti i policisë, në të cilin ishte bazuar Gjykata e Pejës se Bashota ishte pronar faktik, e jo juridik i saj, nuk është provë e mjaftueshme që të vërtetojë se ai ishte pronar i veturës.

“Në rigjykim gjykata po ashtu rreth kësaj veture të ftoj si dëshmitar pronarin juridik  të kësaj veture dhe blerësin e mëvonshëm të saj që të sqarohet roli dhe veprimet konkrete të akuzuarit në raport me “BMW, pasi që vetëm raporti informues i policisë nuk është i mjaftueshëm që të vërtetohet pronësia e veturës pa prova tjera që duhen analizuar dhe arsyetuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Në anën tjetër edhe vendimi gjyqësor ndaj të pandehurit Enver Berisha, sipas Apelit është marrë në shkelje të procedurës penale, pasi nuk ka dhënë arsye lidhur me pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Berisha se nga historiku i paluajtshmërisë kontestuese, ai nuk kishte qenë pronar.

Ndërkaq, gjykata e shkallës së parë ndaj Bashotës dhe Berishës, kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi prokurorja e rastit, Sahide Gashi kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përveç Bashotës e Berishës, akuzoheshin edhe Esat Rraci dhe Fadil Gashi, por edhe ndaj tyre prokurorja kishte hequr dorë nga ndjekja penale, me ç’rast më pas edhe ndaj tyre ishte shpallur aktgjykim refuzues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 4 gusht 2016, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë procesit të ndarjes së banesave me qira, në pronësi të Komunës së Klinës, kanë bërë marrëveshje politike (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë), për shpërndarjen e banesave. Pas kësaj marrëveshje, të pandehurit kanë ndikuar në procesin e vendimmarrjes, ku kanë anashkaluar aplikantët me gjendje të rëndë ekonomike dhe kanë shpërblyer shokët e tyre partiakë me banesa.

Sipas prokurorisë, dy të pandehurit Esat Rraci dhe Fadil Gashi, duke shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për shitjen e banesave, në të cilat ekziston e drejta banesore, kishin paraqitur kërkesa me shkrim për blerjen e banesave, të cilat u ishin ndarë atyre. Por, si rezultat i hetimeve, procesi i blerjes ishte pezulluar.

Prokuroria, gjithashtu e ngarkon ish-kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, dhe Enver Berishën, edhe me veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Prokuroria i akuzon të pandehurit se në periudhën janar 2009 deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ndryshe, të pandehurit ishin akuzuar edhe me veprën penale “mashtrimi në detyrë”, por kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, më herët e kishte hudhur poshtë këtë pikë të aktakuzës. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat