Buja: Procesi gjyqësor për "Veteranët" po zhvillohet me shumë vështirësi

Aktuale

Buja: Procesi gjyqësor për "Veteranët" po zhvillohet me shumë vështirësi

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjatë ditës së sotme ka vazhduar procesi i gjykimit në rastin "Veteranët" ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Shukri Buja dhe tetë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Gjatë ditës së sotme në këtë seancë gjyqësore nisi intervistimi i dëshmitarëve të rastit. Ata që u intervistuan ishin dëshmitari Rr.R dhe A.Rr.

Intervistimi i dëshmitarit Rr.R zgjati më shumë se pesë orë, ndërsa pas tij dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari A.Rr., që të dy emra të njohur për redaksinë.

Kryesuesja e trupit gjykues, Nushe Kuka Mekaj mori vendim që asnjë dëshmi e dëshmitarëve të mos bëhet publike nga mediat derisa të përfundojë dëgjimi i të gjitha atyre që do të dëshmojnë në rastin "Veteranët".

Madje aktvendimi parasheh që as emrat e dëshmitarëve të mos bëhet publik, por të vendosen vetëm inicialet. Deri te ky vendim erdhi me qëllim që sipas kryesueses të trupit gjykuesit të mos dëmtohet procesi gjyqësor.

Gjatë seancës së sotme është paraparë që të merret në pyetje edhe dëshmitari B.Sh, por që u lirua nga marrja në pyetje dhe iu kërkua që nesër (të premten) të jetë prezent për t’u intervistuar.

I akuzuari për rastin "Veteranët", Shukri Buja tha se procesi i intervistimit të dëshmitarëve ka filluar dje dhe po vazhdon edhe sot.

Si i akuzuar ai vlerëson se procesi i këtij gjykimi ka hasur në shumë vështirësi.

Buja: Procesi ka shumë vështirësi për shkak se Kosova nuk ka Gjykata Ushtarake

"Procesi ka shumë vështirësi dhe do të ketë për shkak se Kosova nuk ka Gjykata Ushtarake, nuk ka specialistë të juridiksionit ushtarak, ka mangësi të njohjes së terminologjisë ushtarake. Ka mangësi edhe të avokatëve, gjykatësve dhe prokurorisë të terminologjisë, strukturës, të funksionimit e në veçanti të vetë procesit që ka edhe premisa politike", tha ai.

Sipas Bujës, vështirësitë do të jenë edhe më të mëdha pasi që prokuroria speciale ka bërë lëshime dhe nuk është konsultuar me ekspertët e juridiksionit ushtarak.

Buja: Prokuroria ka bërë lëshime shumë të mëdha

"Është pretenduar që të kufizohet vetëm në aspektin juridik civil që është shumë çështje e vështirë të procedohet në këtë formë dhe po merr bukur shumë kohë te sqarimi se çka është skuadra, çka është togu, batalioni e kompania komanduese...ka bërë lëshime shumë të mëdha prokuroria dhe realisht ka vështirësi, sepse nuk janë konsultuar ekspertë të fushave të juridiksionit ushtarak", theksoi Buja.

Ndryshe, gjatë ditës së nesërme pritet të intervistohen dëshmitarët H.G e S.L.

Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë, në seancën fillestare të mbajtur më 14 mars, ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të Kosovës.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro, ndërsa me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti është dëmtuar për 88.769.217.04 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat