Tregon Mimoza Kusari: Ja cilat ministri i zgjodhi Vetëvendosja

Aktuale

Tregon Mimoza Kusari: Ja cilat ministri i zgjodhi Vetëvendosja

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 17:43
Mimoza Kusari

Albin Kurti dhe Isa Mustafa në takimin e fundit që e zhvilluan të hënën, nuk arritën të merren vesh për një koalicion të përbashkët qeveritar. Pikë ndarëse ishte posti i Presidentit për të cilin nuk janë dakorduar dy krerët e partive. Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë dy liderët e partive janë pajtuar për ndarjen e posteve ministrore. Si duket, pas zgjedhjes që Mustafa ka bërë për Ministrinë e Brendshme, sipas Kusarit, Kurti është përcaktuar për segmentin e ekonomisë – Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Financave.

Të dy subjektet politike, VV dhe LDK janë dakorduar që qeveria e re të ketë 12 ministri. Pesë ministri t’i takojnë VV-së, pesë LDK-së, një minoritetit serb dhe një minoriteteve jo serbe.

Mimoza Kusari-Lila e cila në zgjedhjet e gjashtë tetorit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka dalur të jetë kandidatja e gjashtë më e votuar për deputete nga ky subjekt.

Kryetarja e Alternativës tha se i gjithë segmenti ekonomik në qeverinë e ardhshme do t’i takojë Vetëvendosjes.

“Po, gjithë segmentin ekonomik e ka Lëvizja Vetëvendosje, të dy ministritë e mëdha Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik do t’i takojnë Vetëvendosjes”, tha ajo.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do të shkrihet Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ndërsa në Ministrinë e Financave do të shkrihet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Deputetja e ardhshme e VV-së tha që në përzgjedhjen e posteve ministrore është shkuar në formatin ku ai që zgjedh i pari zgjedh një ministri ndërsa i dyti zgjedh dy ministri e kështu me radhë deri në numrin pesë aq sa do t’i takojnë dy partive.

Kusari-Lila tha se në takimin e fundit që kanë pasur dy kryetarët e partive për në ndarjen e posteve ministrore, Albin Kurti si përzgjedhës i dytë ka zgjedhur dy ministri atë të Zhvillimit Ekonomik dhe të Financave.

“Vetëvendosje do të drejtojë segmentin e Ekonomisë dhe këtë e kam të konfirmuar nga kryetari i partisë, Albin Kurti”, është shprehur Kusari-Lila.

Ajo tutje tha se nuk janë diskutuar emrat konkretë të ministrive pasi që është ndërprerë diskutimi kur është vënë në tavolinë marrëveshja për postin e Presidentit.

“Jo ende nuk janë vendosur emrat pasi është ndërprerë aty kur ka filluar diskutimi për Presidentin. Nuk ka emra konkretë të ministrave dhe kjo është e sigurt”,ka thënë ajo.

E pyetur që nëse LDK-ja nuk do ta kushtëzonte marrëveshjen për Presidentin, dy liderët janë pajtuar që Ekonominë ta drejtoj Vetëvendosja dhe Punët e Brendshme LDK-ja, Mimoza Kusari-Lila tha se “parimisht janë pajtuar për ndarjen e posteve ministrore po mos të ishte ndalur për shkak të diskutimit për Presidentin”.

Takimi i djeshëm që ishte paraparë të ndodhte mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës është anuluar. Deri më tani as nga LDK dhe as nga VV nuk kanë njoftuar se kur do të ndodhë takimi i ardhshëm mes dy krerëve për të biseduar marrëveshjen për koalicion qeverisës edhe pse zyrtarë të të dy subjekteve politike janë shprehur se negociatat do të vazhdojnë në përpjekjet për koalicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat