ShSKUK lavdërohet për të arriturat gjatë këtij viti

Aktuale

ShSKUK lavdërohet për të arriturat gjatë këtij viti

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 13:35
Pamje nga ngjarja

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) gjatë këtij viti ka ofruar shërbime shëndetësore më të mira dhe më cilësore krahasuar me vitin 2018. Derisa gjatë këtij viti klinikat e QKUK-së, janë pajisur me pajisjet e nevojshme që ndikojnë në modernizimin e shërbimeve mjekësore.

Kështu u tha me rastin e prezantimit të raportit të punës për vitin 2019 të SHSKUK-së, me ç’rast u shpalos edhe programi i punës për vitin 2020.

E lëvdata të shumta për ekipet mjekësore në QKUK pati ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili tha se fal punës së tyre të përbashkët është bërë mrekulli në këtë sektor.

Ismajli derisa tha se ndoshta po u drejtohet për herë të fundit mjekëve nga pozita e ministrit, është shprehur se ndryshimet pozitive në ofrimin e shërbimeve shëndetësore janë evidente.

Sipas tij, në vitin 2020 shëndetësinë kosovare e presin sfida të shumta, por që do të kalohen me sukses pasi është krijuar një themel i mirë.

Ismajli: Në këto dy vite sektori i shëndetësisë ka bërë mrekulli

“Nëse ka në ndonjë sektor që ekipi ka bërë mrekulli gjatë këtyre dy viteve duhet të jeni krenar sepse e keni bërë ju. Keni arritur që atë misionin e pamundur ta ktheni në mision shumë të realizuar dhe ajo që më gëzon fakti është se sot nuk po flasim për vitin 2018, 2019 por edhe për vitin 2020, që tregon se çfarëdolloj situate politike që ndërron rrugën të cilën e kemi filluar nuk do ndalet për të arritur aty ku ju keni dëshiruar për një kohë të gjithë dhe aty ku pacienti ka nevojë të na sheh të gjithëve. Për mua këto dy vite kanë qenë barrë e rëndë, por një privilegj i jashtëzakonshëm dhe sot një moment krenarie më i madh”, u shpreh Ismajli.

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Basri Sejdiu u shpreh se në shëndetësinë kosovare në vitin 2019, është ngritur dukshëm cilësia e shërbimeve mjekësore.

Ai shtoi se aktualisht në QKUK janë duke ndodhur renovime substanciale në Klinikën e Imunologjisë, Ortopedinë, ORL etj.

Sipas tij, këtë vit furnizimi me pajisje ka prekur të gjitha klinikat e QKU-së dhe kap shifrën 6 milionë euro.

Sejdiu: Aktivitetet tona kanë përmirësuar shërbimet spitalore

“Të gjitha aktivitetet që janë bërë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore duke llogaritur që pacienti të ketë qasje më të lehtë, shërbim më cilësor më afër janë bërë të gjitha aktivitetet duke llogaritur infrastrukturën, furnizimin me pajisje mjekësore, furnizimin me material shëndetësor farmaceutik dhe të gjitha aktivitetet tjera që e kanë bërë këtë përmirësim....Vitin e kaluar kemi prokuruar 3.5 milionë pajisje, ndërsa këtë vit i kemi 6 milionë dhe nëse krahasojmë se cilat klinikat janë prekur, mund të themi se janë prekur të gjitha klinika me furnizim me pajisje kanë ngritur edhe nivelin e shërbimeve shëndetësore”, tha Sejdiu.

Derisa ka folur për të rezultatet e arritura gjatë vitit 2019, i pari i SHSKUK-së tha se në këtë vit kanë bërë avancim nacional për shërbime të pacientëve dhe ngritjes së përformancës.

Sejdiu: Kemi arritur që të shpëtojmë shumë jetë përmes trajtimit të infarkiti akut në dy orët e para

“Ajo që duhet të përmendet është prioriteti nacional i trajtimit të infarktit akut në dy orët e para në nivel të Kosovës ku vitin e kaluar kemi filluar trajtimin 24 orësh të infarktit, ndërsa këtë vit kemi avancuar me një program nacional që na bënë të ngritemi mbi regjionet ku për herë të parë pacientët do të trajtohen në dy orët e para të infarktit akut dhe me këtë projekt janë shpëtuar shumë jetë janë bërë shumë kursime dhe pacienti është më afër shërbime shëndetësore”, u shpreh ai.

Sipas tij, së shpejti në Klinikën e Neurologjisë do të nisin për herë të parë edhe intervenimet në tru.

Gjatë shpalosjes së raportit të punës 2019, u premtua se do të ofrohen shërbimet mjekësore të cilat i mungojnë aktualisht QKUK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat