Mungesa e prokurores shtyn gjykimin për konflikt interesi ndaj Zenun Elezajt

Aktuale

Mungesa e prokurores shtyn gjykimin për konflikt interesi ndaj Zenun Elezajt

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 10:42
Foto

Mungesa e prokurores Valbona Dishaj-Haxhosaj, ka bërë që të mos mbahet seanca fillestare ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i akuzuar për konflikt interesi.

Seanca fillestare e paraparë për të të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë për 24 dhjetor 2019, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, prokurorja Disha-Haxhodaj, e kishte njoftuar gjykatën përmes parashtresës se për shkak të udhëtimit jashtë vendit, ajo nuk mund të prezantojë në seancën e së hënës, për të cilën parashtresë ishte njoftuar me kohë edhe i pandehuri Elezaj, së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Kujtim Kërveshi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat