Abbott: Politika të bëhet shtysë dhe jo pengesë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Aktuale

Abbott: Politika të bëhet shtysë dhe jo pengesë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 12:24
Foto nga takimi

Edhe 20 vite pas luftës familjarëve të personave të zhdukur po u shkelen të drejtat e njeriut, pasi që ende nuk e dinë për vendndodhjen e më të dashurve të tyre që u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kështu u tha në tryezën “Çështja e personave të zhdukur në udhëkryq”, e organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini tha se çdo ditë familjarëve të personave të zhdukur po u shkelen të drejtat e njeriut.

Sipas tij zbardhja e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur ka mbetur në udhëkryq e ende nuk po dihet se kush është fajtori.

Çerkini pati edhe një pakënaqësi se si u deshën 13 vite që institucionet e Kosovës të gërmojnë në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.

Çerkini: Për çdo ditë na shkelen të drejtat tona

“Për çdo ditë na shkelen të drejtat e njeriut, iu kemi tubuar këtu dhe iu kemi vendosur në panel dhe kërkojmë edhe nga ndërkombëtarët edhe prej vendorëve mos na i përmendni punët, historitë dhe plagët të cilat na kanë qenë por sa jeni të aftë ju me na i mbrojt të drejtat e njeriut...Zbardhja e fatit të të pagjeturve ka mbetur në udhëkryq thuhet Serbia ka faj, thuhet ndërkombëtarët kanë faj, thuhet jo UNMIK-u jo EULEX-i, jo tani jemi të zot e nuk jemi të zot ose duhet të flitet në Bruksel të gjitha pyetjet që i kemi bërë janë pa përgjigje...Na ka mbetur murgu plotë, varrezat masive plotë, mjerisht pas 13 vite atë gjënë që e keni ditur me fotografi e me skic keni ardhur e keni gropuar”, tha Çerkini.

Edhe Milorad Trifunoviç po nga kjo Qendër deklaroi se asnjë informatë nuk kanë se ku mund të ndodhen familjarët e tyre të zhdukur dhe kjo po e bënë jetën e tyre të vështirë.

Sipas tij, familjarët kanë të drejtë ta dinë e ku ndodhen të pagjeturit.

Trifunoviç: Nuk kemi asnjë informacion se ku gjenden trupat e familjarëve tanë

“Nuk kemi marr asnjë informatë as ku gjenden trupat apo eshtrat e tyre, e dimë që nuk janë gjallë , por ne kemi të drejtë ta dimë se ku janë dhe çfarë ka ndodhur me ata. Ne këtu gjendemi për këtë arsye dhe t’i pyesim njerëzit që janë kompetent të na japim përgjigje...Ne gjendemi në udhëkryq nuk e dimë se ku jemi, jeta jonë nuk është jeta e njerëzve normal na u është cenuar jeta normale”, deklaroi ai.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott derisa ka thënë se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet plagë e hapur për Kosovë, bëri thirrje që politika të jetë lëvizëse dhe të shtyjë përpara zbardhjen e fatit të personave të zhdukur e jo ta pengojë atë.

Sipas tij një hap i mirë në këtë drejtim kishin bërë qeveria e Kosovës dhe ato të rajonit në samitin e Londrës.

Teksa ofroi përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur ambasadori britanik tha se zgjidhja e kësaj çështja është përmbushje e të drejtave të njeriut.

Abbott: Mbretëria e Bashkuar ofron mbështetjen për Kosovën në zbardhjen e fatit të të zhdukurve

“Ambasada britanike së bashku me partnerin tonë UNDP do të punojnë së bashku me ju dhe qeverinë që të mbështesë qeverinë e Kosovës që të bëjë adaptimin e nën ligjeve të cilat janë të nevojshmet, të sigurojë asistencë tek qeveria dhe të bëjë në mënyrë publike informacionet adekuate në procesin e lokalizimit dhe identifikimin e personave të pagjetur, të rrisë bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Serbisë nën procesin e Berlinit që të promovojë çështjen e personave të zhdukur si një brengë e përbashkët”, u shpreh Abbott.

Bartësi i Dosjes së Personave të Zhdukurve, Jahja Lluka tha se qeveria e Kosovës ka punuar vazhdimisht që të dihet për vendndodhjen e personave të zhdukur, por që si pengesë në këtë proces po e konsideron Serbinë.

Këshilltari i kryeministrit në detyrë tutje tha se kjo politikë e udhëheqësve të Serbisë karshi zbardhjes së fatit të të zhdukurve do të pengojë edhe pajtimin dhe marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

Lluka madje pati edhe një selam për kryeministrinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut.

Lluka: Vuçiç le t’i pranojë krimet dhe të kërkojë falje

“Të gjitha krimet, masakrat janë të dokumentuara nëse ne sot i kërkojmë 1647 njerëz 7 janë gjetur kohëve të fundit ata janë bartur nga Kosova pas masakrimit apo të gjallë për në Serbi. Zotëri Vuçiçit ia kisha dërguar vetëm një porosi si arritën në Beograd të gjitha ato kufoma mos kanë shkuar për qejf ato kufoma në Beograd, nuk i duhet argument tjetër le të dalë e të shoh edhe shoqërinë civile në Beograd që ka filluar t’i zgjohet për t’i pranuar krimet dhe për të kërkuar falje, kjo është rruga e vetme për të cilën duhet të punojmë sepse ndryshe nuk kemi ku të shkojmë”,theksoi Lluka.

Në Kosovë edhe 20 vite pas luftës ende nuk dihet fati edhe i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit 1998-99.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat