MASHT lansoi Instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta

Aktuale

MASHT lansoi Instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 12:34
Foto nga takimi

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të Save the Children, ka lansuar sot Instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë.

Këto instrumente janë hartuar nga MAShT në bashkëpunim me grupin punues, të përbërë nga anëtarë të ekipeve vlerësuese komunale, të udhëhequr nga profesorë të Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të Padovës. 

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i ministrit, Fatmir Bytyqi, i cili ndër të tjera tha se arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë e përgjithshme, ndërsa theksoi se MAShT angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që të sigurojë qasje në arsim për të gjithë, e veçanërisht që të ofrojë arsimim adekuat për fëmijët me nevoja të veçanta. 

Për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mbështetjen e Save the Children në këtë drejtim, foli drejtori i kësaj organizate, Ahmet Kryeziu.

Ndërsa, udhëheqësi i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, e vlerësoi angazhimin e MAShT dhe partnerëve për hartimin e këtyre instrumenteve, të cilat e lehtësojnë punën në arsimimin e këtyre fëmijëve.   

Instrumentet e zhvilluara kanë për bazë modelin bio-psiko-social të Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit - Versioni për Fëmijë dhe të Rinj (ICF-CY). 

Përmes këtyre instrumenteve, MASHT synon që të lehtësojë punën e Ekipeve Vlerësuese komunale në vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe të fuqizojë bashkëpunimin mes mësimdhënësve dhe ekipit vlerësues në nivel komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat