Vjosa Osmani vizitë tre ditore në Gjermani: Flasin nga LDK

Aktuale

Vjosa Osmani vizitë tre ditore në Gjermani: Flasin nga LDK

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 18:25
Vjosa Osmani

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, me ftesë të institucioneve gjermane ka udhëtuar dje për në Gjermani për vizitë tre ditore.

Osmani do të qëndrojë në Berlin deri të mërkurën, ku do të marrë pjesë në konferencën “Kosovo after the elections: A political earthquake and its cosequences”, të organizuar nga Bundestag dhe organizata të tjera gjermane.

Shkuarjen e Osmanit në Gjermani e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

“Po Vjosa ka udhëtuar dje në Gjermani dhe do të qëndrojë tre ditë. Atje do të marrë pjesë në një konferencë”, ka thënë Avdyli.

Por burime të medias brenda LDK-së bëjnë të ditur se gjatë vizitës, Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Kancelares Agnela Merkel, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, të Parlamentit gjerman dhe të partisë CDU.

Temë kryesore e Osmanit me politikanët gjermanë do të jetë ndërtimi i koalicionit të LDK-së me VV-në.

Kujtojmë se sot përmes një statusi në Twitter, ambasadori gjerman Christian Heldt ka shkruar se kjo javë është vendimtare për formimin e koalicionit ndërmjet këtyre dy partive.

“Rrezet e diellit po depërtojnë përmes mjegullës e reve. Një ogur i mirë në këtë mëngjes të së hënës për t’i rrumbullakuar me sukses bisedimet për koalicion. Kosova ka nevojë për qeverinë e re, ne të gjithë dëshirojmë që t’i kthehemi punës. Ju uroj fillim të mbarë të kësaj jave vendimtare”, ka shkruar Heldt.

Heldt edhe ditë më pare kishte kërkuar që sa më parë të formohet qeveria e re.

Ndryshe ditë më pare edhe kreu i VV-së, Albin Kurti ka qëndruar në Gjermani dhe nuk ka një informatë nëse ai është kthyer nga atje apo jo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat