Vetëvendosje: Autostradat janë ndërtuar nga buxheti i shtetit, s’ka nevojë për taksa

Aktuale

Vetëvendosje: Autostradat janë ndërtuar nga buxheti i shtetit, s’ka nevojë për taksa

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Pas paralajmërimit se autostradat e vendit do të bëhen me pagesë, janë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV thonë se këto autostrada janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera. Ministri në detyrë, Pal Lekaj ka deklaruar sot se një pagesë e tillë do të aplikohet, derisa ka thënë se tarifa do të jetë e përballueshme për të gjithë.

Shumë shpejt kosovarët do të paguajnë taksë edhe për të kaluar nëpër dy autostradat e vendit. “Ibrahim Rugova” e “Arbën Xhaferi”, pritet që shumë shpejt të bëhen me pagesë.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se janë në pritje të studimit të fizibilitetit për të caktuar çmimin dhe kushtet e pagesave, derisa thonë se çmimi do të jetë shumëfish më i ulët se ai që ka caktuar Edi Rama në “Rrugën e Kombit”

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje deklarojnë se janë kundër një pagese të tillë.

Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhukës ka thënë se ata që kanë plaçkitur paranë publike gjatë ndërtimit të autostradave, tash po propozojnë që populli të paguajë taksa për to.

“Ndërtimet e autostradave janë shoqëruar fillimisht me një jotransparencë të madhe e tutje edhe me skandale e afera të mëdha korruptive. Vetëm te kjo e fundit kishim skandalin e madh të 53 milionëshit. Pra këta që plaçkitën paranë publike gjatë ndërtimit tash propozojnë që populli të paguaj autostradën”, ka thënë Manxhuka.

Deklaron se këto autostrada janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për të shtuar pagesa të tjera.

Ndryshe, Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar se si po planifikohet që të vendoset tarifa në autostradat e Kosovës.

“Përfundimi i dy autostradave dhe angazhimi për përfundimin e dy të tjerave, është e kuptueshme që janë kosto për buxhetin e shtetit dhe prandaj, rrjedhimisht edhe është e kuptueshme që këto rrugë me standarde të larta duhet të kenë mundësi të mirëmbahen po në këtë standard, prandaj edhe po punohet, pa u ngutur, që të kemi në një të ardhme edhe pagesën rrugore, sikur çdo shtet i rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Lekaj.

E ndonëse ishte paralajmëruar se këto pagesa do të aplikoheshin në fillim të 2020’ës, Lekaj nuk jep ndonjë afat se kur do të vihet saktësisht tarifa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat