Krimet serbe në Kosovë përmes fotografive

Aktuale

Krimet serbe në Kosovë përmes fotografive

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 17:12
Krimet serbe

Në muret e Muzeut Kombëtar të Kosovës, kanë zënë vend mbi 100 fotografi të cilat paraqesin eksodin dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë, gjatë periudhës mars-qershor 1999.

Ka shumë dëshmi që dokumentojnë krimet serbe të kryera në vend, shumë nga to tash e 20 vjet po i ruan edhe Enver Hoxha, i cili kishte shërbyer si mjek në Zonën Operative të Llapit.

Me këtë po synohet që të kërkohet përgjegjësi nga shteti i cili kishte kryer gjenocid në vend.

"Gjenocidi serb: Ta kujtojmë të kaluarën, ta ndërtojmë të ardhmen", kështu po e quan autori Enver Hoxha ekspozitën me mbi 100 fotografi, të shkrepura 20 vjet më parë në zonën e Shalës, Llapit e Gollakut.

Ai po këmbëngul që kjo histori e hidhur e Kosovës, të mos harrohet e për këtë të ndëshkohen kriminelët e shtetit serb.

Hoxha: Janë fotografi të eksodit brenda për brenda Kosovës

(Video)

"Janë fotografitë e zhvendosjes dhe eksodit brenda për brenda Kosovës, me tendencë për t'u dëbuar nga Kosova, dhe për t'u realizuar operacioni "Patkoi". Pastaj mbijetesa normale, dhe djegiet, e masakrat", thotë ai.

Mbrëmjen e sotme është bërë hapja e kësaj ekspozite, ndërsa të shumtë kanë qenë ata të cilat kanë ardhur të shohin materialet e ekspozuara.

Hoxha ka edhe shumë materiale të tjera të cilat i ka ruajtur që 20 vjet nga ajo kohë, derisa të njëjtat po i ndanë në tri kaptina.

Hoxha: Të kërkohet përgjegjësi për kriminelët serbë

"Me këtë ekspozitë po synojmë ta kujtojmë të kaluarën ta ndërtojmë të ardhmen. Është një 20-vjetor i cili në aspektin kohor për dikë është i gjallë, por për atë që kanë vuajtur nuk është i gjallë. Edhe në anën tjetër me lyp përgjegjësi për kriminelët. Sikur janë rehabilituar ata dhe nuk i ndëshkon askush", tha ai.

E derisa masakra të tilla jo rrallë herë po injorohen e mohohen nga shteti serb, Hoxha thotë se deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe ekspozita lidhet shumë me ngjarjen, e të tilla mohime thotë se po i shërbejnë armiqësisë ndaj Kosovës.

Hoxha: Për kaptina tjera kemi punën që është bërë në Spitalin Ushtarak

"Në këtë ekspozitë është dashur të ambientohemi me vendin dhe hapësirën, e cila është, përndryshe vetëm me vendin dhe tematikën kemi afër edhe 100 fotografi, ndërsa për kaptina tjera kemi për punën që është bërë në Spitalin Ushtarak, dhe në tri kaptina", u shpreh ai.

Saranda Bogujevci, e mbijetuar nga lufta në Kosovë, thotë se është shumë me rëndësi ruajtja dhe dokumentimi i krimeve të bëra në Kosovë, dhe se për këtë ka edhe kritika ndaj institucioneve.

Bogujevci: Në dialog asnjëherë nuk u përmendën krimet serbe në Kosovë

"Është shumë me rëndësi që të ceket se sa pak është bërë nga institucionet. Dhe kjo është tejet me rëndësi. Jemi me fat që kemi organizata dhe individë që e kanë bërë këtë në mënyrën e vet. Po është e rëndësishme që i gjithë ky material që ekziston të institucionalizohet. Është e dhimbshme se si që sa vjet tani prej 2012 jemi në dialog me Serbinë dhe në asnjë moment nuk janë përmendur krimet e luftës e sot e kemi presidentin e Serbisë, i cili mohon masakrat në Kosovë. Mendoj që ka kaluar kohë tepër e gjatë që në një formë edhe sa i përket institucioneve ndoshta edhe kolektivisht nuk është bërë sa duhet jo vetëm tek aspekti i dhunës, por edhe për t’i treguar botës dhe Serbisë se çfarë ka ndodhur në Kosovë", deklaroi Bogujevci.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi tha se kjo ekspozitë përfaqëson një luftë makabre.

Minxhozi: Ekspozita fotografike bart vlera historike

"Është një ekspozitë fotografike, por bart me vete vlera historike dhe shumë shpirtërore që secila nuk ka harruar këto momente të vështira për popullin shqiptar thuhet gjenocidi xx, ku është shkaku që sulmohet ky vend me mjetet më shtazarake, duke masakruar trupat e vegjël të fëmijëve të pafajshëm. Është diçka që gjithë duhet t’i bëjnë të mendojnë. Kosova mbeti, fitoi dhe është e lirë sot", deklaroi Minxhozi.

Sipas tij, sot është koha për reflektim, jo për hakmarrje, por të pendimit të shtetit serb, për atë që është bërë në popullim shqiptar.

Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa tha se Kosova për 20 vjet nuk ka mundur të dokumentojë ato që për dy dekada ishin të shkruara në ballin e gjithë secilit.

Mustafa: Enver Hoxha doli mbi ne dhe na solli këto fotografi

"Ne me UÇK-në nuk kemi pasur njësi për dokumentimin e këtyre fakteve, Enver Hoxha doli mbi ne, mbi këto njësi dhe bëri gjithë këtë angazhim dhe sot na vjen me këto fotografi. Në këta 20 vjet nuk kemi mundur të dokumentojmë të cilat ishin të dokumentuara në ballin tonë. Ende nuk kemi një mekanizëm serioz, i cili dokumenton", u shpreh ai.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci tha se me kënaqësi është përkrahur kjo ekspozitë nga muzeu.

E këto fotografi sipas tij tregojnë shumë për sakrificën dhe vuajtjen e popullit të Kosovës.

Leci: Ka qindra dëshmi të krimeve serbe në Kosovë

"Edhe pse ka qindra dëshmi të krimeve të bëra në Kosovë, si në Qiriazë e Obri, e Dubravë, e në të gjitha pjesët në vend se të akuzohet shteti serb, ditën e fundit po akuzohen ushtarët e Kosovës", tha ai.

Profesor Ismet Salihu tha se këto fotografi tregojnë krimet e pushtetit serb ndaj popullatës të pafajshme shqiptare. Ai tha se është koha e fundit që institucionet e Kosovës, të ndërrojnë qasje për dënimin e këtyre krimeve që janë bërë në Kosovë.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur pesë ditë. Ndërsa, Enver Hoxha i cili ka ruajtur këto fotografi, ka edhe shumë të tjera të cilat dëshmojnë gjenocidin e shtetit serb të kryer në Kosove. Ai ka qenë pjesë e grupit, i cili gjatë kohës së luftës ka trajtuar shumë raste të cilët kishin nevojë për trajtim mjekësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat