Marrëveshja VV-LDK gjatë javës: Vetëvendosje mund të “dorëzohet” përballë Isa Mustafës për postin e presidentit?!

Aktuale

Marrëveshja VV-LDK gjatë javës: Vetëvendosje mund të “dorëzohet” përballë Isa Mustafës për postin e presidentit?!

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 21:18
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, me gjasë do të arrijnë marrëveshjen për bashkëqeverisje brenda dy- tri ditëve në vijim.

Media nga burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë vesh se kjo parti pritet të ”reflektoj”.

Sipas këtij burimi, nëse LDK nuk tërhiqet, atëherë VV mund të dorëzohet për postin e presidentit.

”Lëvizja Vetëvendosje pritet që nesër ose pasnesër të pranoj kushtet e LDK-së, përfshirë dakordimin për postin e presidentit. Ndoshta në marrëveshje shprehimisht nuk do të përmendet emri i Isa Mustafës për president, por do të potencohet dakordimi për postin e presidentit, që VV ta mbështet kandidatin e LDK-së për president”, tha ky burim i medias.

E, në kompensim të kësaj LDK të marrë një ministri më pak, pra VV t’i ketë 6 ministri e LDK vetëm 4.

Në anën tjetër, presioni ndërkombëtar ndaj këtyre dy partive vazhdon të rritet.

Edhe nga LDK edhe nga Vetëvendosje, kanë konfirmuar për media në kushte anonimiteti, se ndërkombëtrët, sidomos gjermanët u kanë dhënë ultimatum dy partive, që sa më parë ta formojnë qeverinë.

”Ditëve të fundit është shtuar presioni ndërkombëtar ndaj LDK-së e VV-së, për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, tha ky burim.

Ndërkohë, takimi i sotëm ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës ka rezultuar i pasuksesshëm.

Nga ajo që u tha publikisht pas takimit, dy liderët janë pajtuar që të intensifikohen këto takime, për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, me të përfunduar takimi, bëri të ditur se të dy lideret janë pajtuar që të takohen sërish deri në arritjen e një marrëveshjes.

“Takimi i nisur nga ora 17:00 ka përfunduar para pak çastesh, e gjithë ajo për çfarë janë marrë vesh është për të intensifikuar takimet deri në arritjen e marrëveshjes”, tha Mustfa, para mediave.

Kurse, publikisht vazhdon përplasja e zyrtarëve të dy partive.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por nëse LDK vazhdon të insistojë për presidentin atëherë alternativa e vetme sipas Haxhiut është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Madje Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë.

Sipas saj nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së , pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.

Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi sipas saj të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do i takojnë ata do jenë llogaridhënës tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat