Veton Berisha sqarohet për rastin me gazetarin Galushi

Aktuale

Veton Berisha sqarohet për rastin me gazetarin Galushi

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 08:29
Veton Berisha

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, ka dhënë një sqarim rreth aktakuzës që ka ngritur ndaj gazetarit Denis Galushi nga RTK-ja, lidhur me artikullin të publikuar ditë më parë në media.

Berisha tha se ky veprim është bërë në interes të qartësimit dhe informimit të opinionit të gjerë.

“ Ju informojë se mbrojtja e interesave të komunitetit dhe identitetit egjiptian përmes rrugëve ligjore, nuk ka të bëjë me asnjë lloj kërcënimi dhe linçimi publik ndaj z. Galushi dhe punës së gazetarëve dhe si të tilla, veprimet tona ligjore nuk përbëjnë cenim të fjalës së lirë”, ka thënë Berisha.

Ja reagimi i plotë:

Në cilësi të kryetarit të Subjektit Politik Partia Liberale Egjiptiane (PLE), unë Veton Berisha, pa dashur të ndikojë në procesin që tashmë e kemi nisur, lidhur me kallëzimin penal të parashtruar më 9 dhjetor 2019 në Prokurorin Themelore në Prishtinë kundër z. Denis Galushi  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale: Nxitja e përçarjes dhe mos durimit, nga neni 141 i Kodi Penal të Kosovës.

Por në interes të qartësimit dhe informimit të opinionit të gjerë, ju informojë se mbrojtja e interesave të komunitetit dhe identitetit egjiptian përmes rrugëve ligjore, nuk ka të bëjë me asnjë lloj kërcënimi dhe linçimi publik ndaj z. Galushi dhe punës së gazetarëve dhe si të tilla, veprimet tona ligjore nuk përbëjnë cenim të fjalës së lirë.

Unë si përfaqësues i komunitetit egjiptian, e kuptojë dhe respektojë misionin e Sindikatës së Punëtorëve të RTK dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) por ashtu siç e kemi cekur edhe në kallëzimin penal të parashtruar në Prokurorin Themelore në Prishtinë, Liria e Shprehjes, Neni 40, par.2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se “mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”.

Për më tepër, krahasimi “Rom+Ashkali+Egjiptian=ROM“ është i papranueshëm, ofendues, përçarës, përbën mohim të identitetit kombëtar edhe pse akti më i lart juridik në Kosovë, Kushtetuta, e përcakton si komunitet i ndarë krahas komuniteteve të tjera. Prandaj, ne si komunitet egjiptian ndjehemi të ofenduar nga barazimi i tre komuniteteve në një komunitet të vetëm sikurse në rastin konkret, ngjajshëm ashtu siç mund të ndjeheshin etnitë e tjera nëse do të ishin barazuar sipas kësaj formule.

Unë në vazhdimësi kam pasur dhe vazhdojë të kam raporte të shkëlqyera me media dhe shumë herë së bashku kemi arritur të zgjedhim pozitivisht raste të ndryshme për komunitetin egjiptian, andaj ju garantoj se rasti i z. Galushi nuk ka si qëllim kufizimin e Lirisë së Shprehjes por ka si qëllim ta mbrojë komunitetin egjiptian nga diskriminimi.

Ne bëjmë thirrje që rastit në fjalë të mos i japin ndonjë kuptim tjetër të paqenë, por t’i japim  mundësi organeve të drejtësisë të marrin vendim meritor, kurse PLE-ja shpreh vendosmërinë që për rastin në fjalë do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike në dispozicion.

Për fund, Ju garantojmë se veprimi ynë institucional duke mos e penguar asnjëherë askënd në punën e tij i kontribuon në masë të madhe zhvillimit të demokracisë, respektimit të secilit identitet në Kosovë dhe zhvillimit të një shoqërie multietnike ashtu siç e garanton Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat