Flet Albin Kurti, tregon a do të takohet me Isa Mustafën

Aktuale

Flet Albin Kurti, tregon a do të takohet me Isa Mustafën

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 12:12
Isa Mustafa, Albin Kurti

(E plotësuar) - Kandidati për kryeministër të vendit, Albin Kurti, premtoi se që në javën e parë të qeverisjes së tij do të fillojë të gjitha përgatitjet me shpejtësi për Sistemin Informativ Shëndetësor. Kjo si parakusht për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Këtë zotim Kurti e bëri në tryezën “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë ?!” e organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Mbulimit Universal me Shërbime Shëndetësore .

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se qeveria e drejtuar prej tij do të ketë çështje primare shëndetin e të gjithë qytetarëve, pasi për ta shëndeti nuk është mall që konsumohet por është vet jeta dhe vet njeriu.

Ai shprehu indinjimin që edhe 20 vite pas çlirimit dhe rreth 12 vite pas shpalljes së pavarësisë qytetarët nuk gëzojnë sigurime shëndetësore. Sipas tij, sot në Kosovë është një situatë paradoksale kur ka sigurime për automjete por jo për njerëzit brenda këtyre automjeteve.

Kurti përmendi edhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore që sipas tij ka edhe defekte, por tashmë është edhe i dalë kohe.

Kurti: SISh parakusht kryesor për sigurimet shëndetësore

“Ne kemi theksuar që është shumë e rëndësishme hartimi profesional i protokolleve, i udhërrëfyesve klinikë dhe zyrtarizimi i tyre. Pastaj është ndryshim-plotësimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore sepse në njërën anë edhe ka defekte por në anën tjetër është edhe i dalë kohe. Më tej duhet të fillojë punën përgatitja për Sistemin Informativ Shëndetësor duke u bazuar në komponentët kryesore, protokollet dhe bazën e re të punëtorëve shëndetësorë të licencuar. Gjithashtu zbatim i hollësishëm dhe në tërësi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës në lidhje me sigurimet shëndetësore. Nuk ka mundësi që ne të fillojmë me sigurimet shëndetësore pa e bërë punën paraprake përgatitore. Kemi pasur mjaftueshëm dështime dhe nuk kemi komoditetin e dështimit të radhës”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, Agron Bytyqi nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë tha se para dy muajsh Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar deklaratë politike për mbulimin universal shëndetësor.

Për të parë se sa i rëndësishëm është mbulimi universal shëndetësor, Bytyqi tha se duhet të shohim thirrjen e OKB-së që fuqimisht i rekomandon vendeve anëtare të saj që të arrihet mbulimi universal shëndetësor deri në vitin 2030.

Duke u ndalur në realitetin kosovar, Bytyqi duke cituar raportin e progresit tha se një e treta e popullatës nuk e merr shërbimin e nevojshëm shëndetësor ndërsa 18% nuk e kërkojnë shërbim fare për shkak të vështirësive financiare.

Bytyqi: Reformë mund të jetë futja e sigurimeve të detyrueshme shëndetësore

“Sipas raportit të progresit një e treta e popullatës nuk e merr shërbimin e nevojshëm shëndetësor dhe 18% e popullatës për shkak të vështirësive financiare nuk kërkojnë shërbim fare. Një prej reformave që kishte do të  lehtësonte drejt mbulimit universal është edhe futja e sigurimeve të detyrueshme shëndetësore. Në agjendën politike Kosova e ka miratuar Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore dhe është në proces të funksionalizimit”, tha Bytyqi.

Visare Mujko Nimani nga UNFPA Kosovo kërkoi që të mos lihen anash kategoritë specifike siç janë gratë e të cilat kanë disa nevoja të veçanta, sidomos në shëndetin riprodhues.

Duke përmendur edhe rezolutën e Kombeve të Bashkuara përmes së cilës kërkohet që të gjithë ata të cilët janë lënë anash të kenë qasje në shërbime shëndetësore të barabartë siç janë pleqtë e personat me aftësi të kufizuara.

Mujko-Nimani: T’iu sigurohet qasja të gjithëve në shërbime shëndetësore

“Të kemi një qasje të ciklit jetësor d.m.th prej momentit kur fëmija fillon të zhvillohet në barkun e nënës e deri në vdekje të sigurojmë gjatë gjithë ciklit jetësor qasje në shërbime kualitative shëndetësore e jo disa kategori të jenë të lëna anash apo të mos kenë mundësi apo siç e kemi rastin e të moshuarve kur i gjithë pensioni iu shkon në barna ose shërbime të tjera sepse nuk kemi mundësi t’i mbulojmë nevojat e tyre”, tha Nimani.

Në këtë tryezë foli edhe drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, i cili shpalosi punën e këtij viti dhe organizimin e përpjekjet për të përmirësuar punën e këtij fondi.

Ndërsa Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës foli për rolin e këtij komuniteti karshi sigurimeve shëndetësore.

***

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, ka thënë se sot s’do të ketë takim në mes të tij dhe liderit të LDK’së, Isa Mustafës.

Sa i përket një marrëveshje potenciale, Kurti ka thënë se ende nuk ka ndonjë rezultat konkret sa i përket arritjes së një koalicioni potencial me LDK’në.

Kurti shtoi se do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijnë marrëveshjen që dëshirojmë.

“Ne jemi duke u përgatitur që të qeverisim mirë. Unë sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK’në nuk mund të kem lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë. Kur ti kemi rezultatet konkrete jap lajme të reja, nuk ka rezultate konkrete. Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë sepse datë e fundit ka qenë 26 dhjetori , na ka dhënë më shumë kohë se që na është dashur”, ka thënë sot Kurti në një konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat