Albin Kurti tregon 5 pikat ku ‘lëshoi pe’ Vetëvendosja për koalicion

Aktuale

Albin Kurti tregon 5 pikat ku ‘lëshoi pe’ Vetëvendosja për koalicion

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 20:59
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në bisedime për formimin e koalicionit qeverisës.

Përderisa marrëveshja e koalicionit nuk është arritur ende, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia e tij i ka bërë disa koncesione për të arritur marrëveshje.

Kurti në një intervistë përballë Jeta Xharrës i përmendi pesë pika ku sipas tij janë bërë këto koncesione.

“Tashmë mund të them që i kemi bërë 5 koncesione, i pari është harmonizimi i programit, e dyta është që do të ndahet 50 për qind qeveria me nga 5 ministri, e treta është thënë që duhet t’i kemi ose një ose dy zëvendëskryeministra, i kam lënë të zgjedhin, kanë thënë dy por i pari të jetë i LDK-së. E katërta është që kanë zgjedhur si të zgjedhim sepse motivi ka qenë që doemos të zgjedhin të parët. E fundit është që të gjitha takimet që kam pasur unë, formati dhe koha janë të përcaktuara nga partneri i ardhshëm qeverisës”, tha Kurti.

Ai megjithatë tha se beson që do të ja dalin që ta formojnë “koalicionin qeverisës dhe të qeverisin mbarë, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithëse ka pasur takime në mes liderëve deri më tani nuk është arritur marrëveshje për koalicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat