“Pro et contra” pezullimit të Ligjit për Paga: Përplasen Sindikata e Arsimit dhe Shëndetësisë me atë të Shërbyesve Civilë

Aktuale

“Pro et contra” pezullimit të Ligjit për Paga: Përplasen Sindikata e Arsimit dhe Shëndetësisë me atë të Shërbyesve Civilë

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 21:28
Mursel Zymberi, Blerim Syla

Debate të ashpra janë zhvilluar mes drejtuesve të sindikatave të ndryshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga.

Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, në “Debat Plus”, ka thënë kjo sindikatë ka kërkuar me kohë që Ligji i Pagave të mos miratohet për shkak të shkeljeve që janë bërë.

Ai ka thënë se nuk duhet të vihet në dyshim vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se pajtohen me këtë vendim.

Zymberi ka thënë se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese vendosi drejtësi dhe sipas tij Sindikata e Shërbyesve Civil të Kosovës është për trajtim të drejtë të gjithë sektorëve.

“Ne kemi kërkuar me kohë që ky Ligj të bëhet. Por ai u bë shumë mbrapsht. Ligji i favorizoi sektorët e caktuar të qeverisë të cilët mbanin pushtetin të ngulfatur dhe trajtonin kategori të caktuara në nivelin më diskriminues”.

Ai ka thënë se nuk janë kundër ngritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë apo arsimit por duan barazi.

“Duam pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme”, tha Zymberi.

Kryesindikalisti i Shëndetësisë, Blerim Syla ka sqaruar se nuk janë të njëjtë psikologu klinik me psikologun social siç pretendon Sindikata e Shërbyesve Civil, pasi sipas tij psikologu klinik kryen edhe një specializim dy vjeçar për dallim nga ai social që ka vetëm shkallën Baçelor.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka thënë se Sindikata e Shërbyesve Civil kanë thënë se nëse atyre u bëhet rritje e koeficientit prej 0.10 % do ta pranonin Ligjin e Pagave.

“Pse tash nuk po e pranojnë nuk e di, kur më herët vetë kanë deklaruar në televizion se e pranojnë”, ka deklaruar Ymeri.

Ka reaguar Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, i cili thotë se Arsimit dhe Shëndetësisë u janë ngritur koeficientet nga 0.30% ndërsa Shërbyesve Civil vetëm me 0.10%

“Pozita e shërbyesve civil është tejet fyese”, tha më tej Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbyesve Civil të Kosovës.

Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë se përkundër që Ligji nuk i ka kënaqur policinë ata kanë pranuar atë në mënyrë që të vihet në fuqi në dhjetor.

Ai ka thënë se policët kanë pritur ngritjen e pagave nga ky muaj duke shtuar se tashmë do të marrin masa tjera në koordinim edhe me arsimin e shëndetësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat