Besnik Tahiri: Jam i bindur se Ligji për paga do të hyjë në fuqi

Aktuale

Besnik Tahiri: Jam i bindur se Ligji për paga do të hyjë në fuqi

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 00:02
Besnik Tahiri

Besnik Tahiri, koordinator Nacional për reformën shtetërore, ka thënë se në parim nuk do të mund ta komentojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ngase siç ka thënë “vendimet merren prej një paneli të votuar nga Kuvendi i Kosovës”.

Megjithatë, ai ka thënë se Ligji do të hyjë në fuqi, meqë sipas tij, nuk ka kurrfarë shkelje ligjore.

“Në këtë Ligj kanë punuar njerëzit më të mirë që i ka ky shtet. Dhe këtu nuk po flas vetëm për të emëruarit politik, por për stafin civil. Ky Ligj e ka godit kaosin në sektorin publik të pagave dhe ka sjell një rregull i cili megjithatë ka pësuar disa lëkundje në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se Qeveria Haradinaj, pjesë e së cilës ka qenë vetë Tahiri, ka bërë atë që nuk kanë mundur ta bëjnë qeveritë në 10 vjetët e shtetësisë.

“Të gjitha qeveritë në Kosovë janë munduar që ta bëjnë një gjë të tillë por nuk kanë arritur”, ka thënë Tahiri.

Ai ka pranuar se ky “nuk është ligji më i mirë”, por ka dhënë disa arsye për të cilat ka thënë se kanë bërë punë të mirë.

“S’është ligji më i mirë, por në sistemin e pagave në këtë shtet ishin 1500 tituj. Secila organizatë ka dashur çfarëdo titulli që të rrisë rrogën, zyrtar i lartë, ligjor për këtë për atë, vetëm të rrisë rrogat. E kemi kthyer në 206 pozita hierarkike. S’mund kushdo që qohet në mëngjes të ngrisë një koeficient. 574 koeficientë i ka pasur Kosova, 574 lloje të pagave. I kemi kthyer në 69 koeficientë”, ka thënë ai. “Kosova i ka pasur para se të hyjë ky ligj 162 shtesa. Nga kjo sa ishin në sistemin e pagave e kemi kthyer në 47 shtesa. Shtesë kanë policia sepse kanë rezik, por jo sa të duan, por me hierarki. Shtesën më të madhe e kanë policët në rrugë”.

Sipas tij, ligji ka goditur anarkinë dhe krijoi rregull. Ai ka përsëritur disa herë bindjen se Kushtetuesja do të vendosë se ligji nuk ka shkelje. Tahiri tutje ka thënë se ligji ka pësuar ndryshime në Kuvend.

“Ligji i ka disa probleme, e ai u prish në Kuvend. Kur biseduam me Komisionin Parlamentar, ne kemi pas nenin 27 të shkëlqyeshëm që ka paraparë aty ku ka pasur zvogëlim të rrogës aty ka qenë zbritja graduale, vitin e parë 75 për qind, më pas 50 e më pas 25. E me rritjen e caktuar më pas i binte të ktheheshin aty ku ishin. Na larguan atë sepse thoshin s’bën. E çka bënë u bë edhe më zi. Ishte gabim të futet KEK-u, Posta, e ku po di unë. Ka qenë propozim i Kuvendit jo i Qeverisë. Parlamenti s’ka bë shkelje, por ka futur edhe këto ndërmarrje, dhe e hoqën nenin tonë. 904 asamblistë kanë pritur rrogën, policët, zjarrfikësit e të gjithë”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat