Kurti: Jemi gjithnjë e më afër marrëveshjes me LDK-në

Aktuale

Kurti: Jemi gjithnjë e më afër marrëveshjes me LDK-në

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 11:04
Albin Kurti

(E plotësuar) - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me LDK-në po bëjnë përpjekje natë e ditë që të arrijnë marrëveshje për koalicion bashkëqeverisës.

Pretendenti për kryeministër theksoi se këto komunikime dhe takime të rregullta po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, teksa shtoi se takimi nuk është lajm. Lajm për të është arritja e marrëveshjes.

Pas regjistrimit si deputet, Kurti tha se në thelb dhe në bosht të secilës marrëveshje ndodhet programi i përbashkët tashmë i harmonizuar e të cilit do t’i bashkëngjitet edhe ndarja e funksioneve e pozitave dhe përgjegjësive në ekzekutivin e ardhshëm.

Kurti: Për çdo ditë kemi takime me LDK-në, besoj se do të arrihet marrëveshja deri më 24 dhjetor

“Për çdo ditë kemi takime, tash për çdo ditë kemi takime, edhe prej herës së fundit këtu në kuvendin e Kosovës kur kemi mbajtur takimin, jemi dakorduar që komunikimin ta kemi shumë aktiv, shumë herë gjatë ditës, takimet I kemi të përditshme në mënyrë që sa më parë ta rrumbullakojmë këtë marrëveshje të koalicionit qeverisës. Ne dimë që tashmë kemi seancën e kuvendit për datën 24 dhjetor, na ndajnë vetëm 11 ditë mirëpo shpresoj dhe uroj që mos të kemi të nevojshme 11 ditë që ta rrihet marrëveshja aq shumë të dëshiruar prej nesh e aq shumë të pritur nga populli i Kosovës. Gjithnjë e më afër jemi, por kur t’i kemi rezultat do të mund t’ju njoftoj, nuk mundem tash ”, deklaroi Kurti.

Kurti i cili foli edhe për rëndësinë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës tha se duhet të zgjidhen nevojat e qytetarëve, të respektohen të drejtat e tyre, por njëkohësisht edhe të përmbushen premtimet e dhëna.

***

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me LDK-në po bëjnë përpjekje natë e ditë që të arrijnë marrëveshje për koalicion.

 “Po përpiqemi ditë e natë që të arrijmë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Këto kontakte dhe takime po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Takimi nuk është lajm. Lajm është arritja e marrëveshjes. Jemi dakorduar që komunikimin ta kemi shumë herë gjatë ditës në mënyrë që sa më parë ta realizojmë koalicionin për bashkëqeverisje. Gjithnjë më afër jemi, por kur ti kemi rezultatet konkrete do të ju informojmë”, tha Kurti pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Para gazetarëve Kurti ka folur edhe për vendimin për Ligjin për Paga nga Gjykata Kushtetuese.

“Jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast të gjitha ato që thuhen aty do t’i adresojmë, përndryshe unë besoj që kemi nevojë për një ligj të ri, në mënyrë që pabarazitë e ngelura të  eliminohen, edhe me ligjin e ri, shoferi dhe vozitësi i kryeparlamentarit e kanë rrogën më të madhe se drejtori i shkollës”, shtoi lideri i VV-së.

Ai po ashtu ka komentuar edhe grevat e sotme në arsim dhe shëndetësi. “Grevat më vjen keq që ndodhen në këtë situatë, veç se ne as si deputet sot dhe as si Qeveri nesër nuk mund dalim në ballë të Kushtetueses”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat