Koci: Investitorët e Monego vlerësohen në Gjermani, ndërsa ‘dënohen’ në Kosovë

Aktuale

Koci: Investitorët e Monego vlerësohen në Gjermani, ndërsa ‘dënohen’ në Kosovë

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 16:46
Ariani Koci dhe pala e Monegos

Avokati Arianit Koci mendon se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për revokimin e licencës së Monego është juridikisht i paqëndrueshëm në shumë nivele. Ai është plotësisht i sigurte për rastin e tij kundër Bankës Qendrore. Deri në javën tjetër, investitori do të paraqesë kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Unë mendoj se zgjidhja më e mirë për të adresuar situatën aktuale do të ishte vendosja e një mase të përkohshme që do t’i lejonte investitorit të Monego të drejtojë biznesin e tij, derisa Gjykata të vendosë nëse vendimi i Bankës Qendrore ishte i ligjshëm. Ne besojmë se një vendim i tillë i Gjykatës gjithashtu do të largonte çdo shqetësim në lidhje me aftësinë e likuiduesit të caktuar për të siguruar rikuperimin e investimeve të investitorit të Monego”, thekson Arianit Koci

Banka Qendrore, në vendimin e saj për revokimin e licencës, thekson se aktivitetet e Monego nuk ishin në përputhje me planin e biznesit të kompanisë. Referimi në Plan të Biznesit si një dokument ligjërisht detyrues është një keqinterpretim i plotë i ligjit.

Natyra e planit të biznesit është larg të qenit një dokument ligjërisht i detyrueshëm, pasi i njëjti është një dokument i gjallë dhe dinamik i cili përcakton udhëzime për objektivat e ardhshme dhe i nënshtrohet ndryshimit sipas rregullave të konkurrencës së ekonomisë së tregut të lirë dhe tregut financiar.

“Arsyet për revokimin e një licence janë të artikuluara qartë në Ligj. Arsyet e përdorura nga Banka Qendrore nuk janë asnjë prej tyre. Për këtë arsye, ne kemi shumë besim në argumentet tona ligjore. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe ai duhet të respektohet. Nuk mund një kompani me kapital të huaj të mbyllet brenda nate. Ne duhet të dëshmojmë se Kosova është një shtet ku sundon ligji. Rasti Monego nuk është çështje vetëm ndërmjet kësaj kompanie dhe institucioneve të Kosovës, por është çështje e reputacionit të Kosovës në nivelin Evropian. Nëse një kompani e huaj merret dhe mbyllet pa ndonjë bazë ligjore, ne mund të harrojmë anëtarësimin në BE, mund të harrojmë investimet e huaja në ekonominë tonë”, shpjegon Arianit Koci.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës gjithashtu i referohet aksionarit të Monego. Aigars Kesenfelds i ka kaluar të gjitha kontrollet e sigurisë dhe të përshtatshmërisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në BE dhe tregjet e tjera nëpër botë. Për më tepër, një muaj më parë një prej ndërmarrjeve në të cilën Mr.Kesenfeld ka investuar bono të emetuara në vlerë prej 100 milionë EUR në Bursën e Frankfurtit, që konsiderohet si “standard i artë” për industrinë globale financiare. Ky investim u aprovua nga Autoriteti Federal i Mbikëqyrjes Financiare Gjermane, kështu duke ri-konfirmuar që Mr.Kesenfelds është aksionar i përshtatshëm dhe i duhur nga të gjithë.

 

Përfaqësuesi tjetër i aksionarit, avokati Granit Vokshi beson fuqimisht se gjykatat në Kosovë do të veprojnë shpejt me qëllim të korrigjimit të dëmit të shkaktuar ndaj kompanisë. Ai gjithashtu shprehu dëshirën e tij që të mos detyrohet të fillojë një çështje tjetër arbitrazhi kundër Kosovës për kompensimin e humbjeve dhe shpenzimeve të bëra si pasojë e veprimeve të paligjshme të drejtuara kundër investitorit të huaj.

Investitorët e Monego në një konferencë për shtyp informuan se ata kanë plane afatgjata operacionale në Kosovë dhe janë të gatshëm të gjejnë një dialog me autoritetet mbikëqyrëse ë për të rifituar licencën dhe që kompania të operojë.

Investitorët e Monego besojnë se modeli i biznesit të kompanisë ishte në përputhje me ligjet ekzistuese në Kosovë. Megjithatë, nëse është e nevojshme, aksionarët e Monego janë të gatshëm të rregullojnë modelin aktual të biznesit dhe të punojnë ngushtë me Bankën Qendrore.

“Operacionet tona gjithmonë kanë qenë të bazuara në transparencë, në parimet më të larta të qeverisjes korporative dhe përgjegjësi ndaj vendit në të cilin veprojmë. Ne gjithmonë i kemi respektuar të gjitha ligjet dhe rregulloret në Kosovë sepse duam të punojmë këtu në plan afatgjatë. Prandaj vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ishte një befasi për ne,” tha Aldis Umblejs, përfaqësues i aksionarëve të Monego.

Javën tjetër, aksionarët Monego do të paraqesin një kërkesë në gjykatë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas mendimit të aksionarëve Monego, zgjidhja më e mirë për momentin për të adresuar situatën aktuale do të ishte vendosja e një mase të përkohshme që do të lejonte aksionarët Monego të drejtonin biznesin e tyre derisa gjykata të vendosë nëse vendimi i Bankës Qendrore ishte legjitim. Kjo gjithashtu do të largonte çdo shqetësim në lidhje me aftësinë e likuiduesit të caktuar për të siguruar ri-kthimin e investimeve të aksionarëve Monego.

“Ne ndjejmë përgjegjësi ndaj punonjësve dhe klientëve tanë që të gjejmë mënyrën e rikthimit të licencës së Monego-s. Vendimi i likuiduesit Visar Zeneli për pezullimin e degëve krijon pasiguri të vendeve të punës për 250 punonjës të kompanisë në Kosovë. Andaj, ne i kërkojmë likuiduesit Z. Zeneli, të ketë transparencë të plotë në aktivitetet e tij, ndërsa nga Banka Qendrore kërkojmë që të konfirmojë që të gjitha fondet Monego do të ri-kthehen, duke filluar me gjërat bazike-hapjen e degëve në mënyrë që njerëzit të mund të paguajnë kreditë e tyre,” deklaron Aldis Umblejs.

Aksionari i Monego ka investuar 12 milionë EURO për të themeluar Monego-n në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat